Reduktimi me 25% i njësive speciale, Gjermania e quan “të pamjaftueshme”: Kërkohet themelimi i Asociacionit - NACIONALE

Reduktimi me 25% i njësive speciale, Gjermania e quan “të pamjaftueshme”: Kërkohet themelimi i Asociacionit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pozitiv si hap i parë, por i pamjaftueshëm”.

Emisari i Posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, la të kuptojë se assesi nuk i zhbën tensionet në veri zvogëlimi prej 25% i pranisë së forcave speciale policore brenda dhe rreth ndërtesave zyrtare komunale në tri komunat të banuara me shumicë serbe. Kjo pasi një gjë e tillë u pajtua si hap i parë në takimit të nivel kryenegociatorëve në Bratisllav në kuadër të dialogut të Fascilituar nga Bashkimi Evropian.

Sarrazin, i cili ka qenë më i zëshmi dhe më ekpsliciti kundër kursit të ndjekur të instalimit me forcë të tre kryetarëve shqiptarë legalë (ndonëse jo legjitimë) nga qeveria kosovare – e kishte quajtur “vendim të budallëm”, “gjuajte me lloç”, “e rrezikshme”, “politiksht i pamençur” dhe ishte nisur për në Prishtinë me të nisur ky kurs – tregoi se çfarë kërkon në të vërtetë BE-ja: mosprani të njësive speciale në ato zona.

Kosova, tashmë, përveç masave ndëshkuese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, është edhe nën masa ndëshkuese gjermane. Javë më parë, zëdhënësi në ambasadën gjermane kishte thënë për Nacionalen se “qeveria gjermane ka vendosur të tërheq bashkëpunimin me Kosovën në disa sektorë...shtyrje të konsultimeve në bashkëpunimet zhvillimore me qeverinë kosovare, pezullim të partnerititetit klimatik dyshtetëror si dhe pezullimin e dorëzimit të disa pajisjeve për ofruesit e sigurisë”.

Sarrazin, la të kuptojë se situata është ende larg të së qënit e shtensionuar dhe masat e para të ndërrmarra rreth këtij shtensionimi janë larg asaj se çfarë në të vërtetë kërkon BE-ja.

BE i ka dhënë plan të qartë tre-pikësh që nënkupton jo më prani të njësive speciale në veri (të Kosovës) dhe afër ndërtesave komunaëe, dhe zvogëlimi i pranisë për 25 për qind është një hap drejt saj, por qartësisht nuk i përmbush kërkesat e BE-së”, ka thënë Sarrazin këtë të premte në një intervistë për RTS-në.

Si konkluzion të tërë shtensionimit të situatës në veri, diplomati gjerman i ngarkuar me çështje rajonale, tha se është themelimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. “Asociacioni është kyç për neve”, tha Sarrazin.

Në lidhje me atë se Asociacioni s’duket gjëkundi në horizon, e as themelimi i saj, emisari gjerman nuk pajtohet. “Çdo ditë flasim me partnerët tanë në Kosovë për këtë”, tha ai, derisa dhe edhe një vlerësim të rreptë se “serbët (në veri) në kuptimin e ngushtë të fjalës po vuajnë nga kjo situatë”.

Duhet t'i qetësojmë tensionet, kemi një situatë të rrezikshme, duhet ta pranoj që jam shpesh në Mitrovicë, edhe në Mitrovicën e Veriut, flas me shumë serbë, njerëzit janë duke vuajtur literalisht nga kjo situatë”.

Situata duhet të qetësohet në mënyrë që njerëzit të kenë një jetë normale pa situata emergjente të përditshme, pa frikën se mund të ndodhë diçka çdo minutë. Ky është parakusht që ata të kthehen në tryezë, të fillojë dialogu dhe të formohet Asociacioni i Komunave Serbe”.

Afro dy muaj më parë, Sarrazin duke folur nga selia e EULEX-it në Mitrovicë të Jugut, ishte shprehur me nervozizëm të theksuar se kursi i ndërmarrë nga qeveria kosovare ishte “i budallëm”.

Nuk do të lejojmë që përmes vendimeve të budallme të shkojë posht’ Marrëveshja e Ohrit”.

Me këtë “vendime të budallme” Sarrazin do të hedhte poshtë tërë “mençurinë” e një vendimi të tillë të qeverisë kosovare që me doemos, e me aparaturë të rëndë policore, të instaloheshin kryetarët e rinjë legalë (ndonëse jo legjitimë) në tri komunat e veriut.

Sarrazin, Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e qortoi brutalisht në atë që mund të lexohej mes rreshtash në deklarimin e tij për media. “Nëse ju ndjeni se dikush po hedh lloç, kjo nuk të arsyeton të nisësh të gjuash lloç edhe ti”, pati thënë ai nga selia e EULEX-it në Mitrovicë. Sarrazin, thoshte se “gjithsecili” politikan ka përgjegjësitë vetanake të veprimeve të tij.

Unë e kuptoj që për shumë njerëz në Republikën e Kosovës deklarimet që vinë nga Beogradi javëve dhe muajve të fundit nën Marrëveshjen e Ohrit janë të vështira për t’i kuptuar dhe pranuar, por çdo politikan në këtë vend e po ashtu edhe në rajon ka përgjegjësinë vetanake të tij për veprimet dhe vendimet e veta. Nëse ju ndjeni se dikush po hedh lloç, kjo nuk të arsyeton të nisësh të gjuash lloç edhe ti”, tha Sarrazin.

Këtu, diplomati gjerman, iu pati kthyer edhe legalitetit të veprimit të shtetit kosovar në ato zona. Ishte legale, po, tha ai, por “politikisht e mençur, jo”. Jo vetëm “politikisht e pamençur”, shtoi ai, por edhe “politikisht e rrezikshme”.

Kjo lloj qasje nuk është bazë për afrim në Bashkimin Evropian. Ne kemi Marrëveshjen e Ohrit dhe dialogu është baza e afrimit drejt Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë. Bashkimi Evropian është një zonë e sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të lirive personale. Sundimi i ligjit për neve është i rëndësishëm dhe unë e kuptoj detyrën e autoriteteve të Republikës së Kosovës për të aplikuar sundimin e ligjit anekënd territorit të Kosovës. Por, jo çdo veprim ligjor është politikisht gjë e mençur. Disa madje mund të jenë edhe politikisht të rrezikshme”, pati thënë Sarrazin.

Lajme të ngjashme