Siç parashihte Bratisllava, u mblodhën për deeskalimin në veri KFOR-i, EULEX-i dhe Policia: Çka u tha? - NACIONALE

Siç parashihte Bratisllava, u mblodhën për deeskalimin në veri KFOR-i, EULEX-i dhe Policia: Çka u tha?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një takim i rëndësishëm ka ndodhur në mëngjesin e sotëm mes tre njerëzve më të rëndësishëm për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës. Çka ndodhi në këtë takim?

Në këtë takim mori pjesë komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, shefi i misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Në marrëveshjen e Bratisllavës për hapat e parë të deeskalimit ku u njoftua edhe zvogëlimi i menjëhershëm për 25% i prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale tregohej edhe se Policia e Kosovës “bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in,” sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë.

Kjo sipas njoftimit të Zyres së Kryeministrit, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale.”

Në njoftimin e bërë nga KFOR-i thuhet se këta tre persona që e kanë për kompetencë të shikojnë mundësinë për “zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale” kanë folur pikërisht për masat e de-eskalimit në fjalë.

“Ata diskutuan gjerësisht masat e de-eskalimit që do të zbatohet në afat të shkurtër kohor nga institucionet në Kosovë. Takimi ishte pozitiv dhe konstruktiv dhe do të pasohet nga takime shtesë periodike edhe në nivel teknik por edhe ekzekutiv.”thuhet nga KFOR-i.

Nuk dihet se për çfarë masash që do të zbatohen në afat të shkurtër është fjala.

Një njoftim e bëri edhe Policia e Kosovës për takimin në fjalë.

Ata konfirmuan se në këtë situatë ishte “vlerësuar situata e sigurisë në Republikën e Kosovës, përfshirë vlerësimin e situatës në veri të vendit.” Nga Policia nuk folën për kurrfarë mase afatshkurtër apo afatgjatë që do të zbatohej nga institucionet e Kosovës.

Megjithatë, nga reagimi i KFOR-it dhe i Policisë nuk tregohet nëse ka pasur ndonjë përfundim konkret sa i përket vlerësimit të sigurisë dhe nëse do të merret ndonjë masë e caktuar për zvogëlim apo shtim të pranisë së prezencës policore në veri të vendit.

Kujtojmë se këto vlerësime të sigurisë pritej të bëheshin dy javë pas arritjes së marrëveshjes në Bratisllavë. Nuk dihet nëse janë bërë gjatë atij harku kohor.

Vlen të theksohet ndërkohë se një nga hapat që parashihej në marrëveshjen për hapat e parë të deeskalimit, ai i ftimit të kryenegociatorëve në Bruksel, tashmë ka ndodhur. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës tashmë ka nisur rrugën e saj ligjore për të mundësuar zgjedhjet e reja në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Lajme të ngjashme