TIK-TAK-u i Presidentit: Kurti “s’ka diçka të re”, Abdixhiku thotë se emri i Osmanit "s’është prezent”
Kosova ndodhet para një afati kushtetues. Deri më 5 mars, institucionet duhet të zgjedhin presidentin e ri; në të kundërt, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme paralamentare. Në dy ditëshin e fundit, asnjë kandidat nuk është propozuar zyrtarisht dhe asnjë marrëveshje politike nuk është bërë e ditur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Kryeministri dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilloi së fundi takime me krerët e partive të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike. Takimet e Kurtit me Bedri Hamzën nuk sollën ndonjë rezultat, me kreun e PDK-së që bëri të ditur se i kishte komunikuar Kurtit ofertën që, për ta zgjidhur çështjen e Presidentit, propozimi të vinte nga partia më e madhe opozitare.
Takimi me Abdixhikun nuk rezultoi më i frytshëm. "Na duhet kandidati apo kandidatja që siguron 80 vota në sallë", tha Kurti pas daljes nga takimi, duke shtuar se "gjithçka brenda fare pak ditësh do të merret vesh."
Kreu i VV-së madje e krahasoi këtë situatë me sfidën e mëparshme të formimit të qeverisë: "Unë herën e kaluar me 56 deputetë, u përpoqa që të zgjedhem kryeministër për t'i arritur 61 dhe nuk u bë e mundur përkundër faktit që gjithçka u stërzgjat për shumë muaj. E tash nuk jemi vetëm 5 deputetë larg, tash jemi 14 deputetë larg, që e bën situatën më të vështirë."
Megjithatë, pas takimit me Abdixhikun, Kurti pranoi se “çështja ngelet e hapur – mundësitë janë aty. A do të shfrytëzohen, do ta marrim vesh së shpejti”, duke shtuar se ende nuk ka figurë konsensuale e as marrëveshje politike, sidomos “pasi nga PDK-ja tha se propozimi duhet të jetë partiak. Kjo e bën më të ndërlikuar çështjen”.
Një nga emrat që vazhdimisht qarkullon në opinion është ai i presidentes aktuale, Vjosa Osmani. Kurti deri tani e ka shmangur hapur propozimin e saj, duke u thirrur në mungesë votash. Por kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për herë të parë u shpreh se subjekti i tij nuk e përjashton Osmanin. “Në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Vjosa Osmanit. Nuk është kërkuar vota për Vjosa Osmanin, prandaj s’mund të flas”, tha ai, duke shtuar se LDK-ja nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për nënshkrime: “Ne nuk kemi pasur refuzim asnjëherë. Por askush s’ka ardhur me 15 nënshkrime që t’i kërkojë edhe 15 të LDK-së”.
Megjithëse tri figura të LDK-së – Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti dhe Janina Ymeri – dihen publikisht si kundërshtare të Osmanit, aritmetika parlamentare tregon se me 66 votat e VV-së me pakicat jo-serbe dhe 12 votat e LDK-së (pa këta tre deputetë), numri do të shkonte në 78, shumë pranë kuorumit të kërkuar. Megjithatë, Abdixhiku tha se “emri i saj nuk është prezent”.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk dha përgjigje direkte kur u pyet mbi mungesën e një propozimi formal për Osmanin nga Lëvizja Vetëvendosje. “Procesi i zgjedhjes së tij apo saj duhet të reflektojë përgjegjësi, maturi dhe frymë bashkëpunimi. Nuk është koha as për përplasje, as për kërkesa të parealizueshme”, deklaroi Haxhiu.
Brenda partisë së tij, Kurti ka përmendur profesorin Murat Jashari si figurë unifikuese, duke u thirrur te familja Jashari si simbol i unitetit kombëtar. Ai ka thënë se Jashari do të mund të siguronte mbështetje ndërpartiake, por vetë Murat Jashari ka mohuar ambicie për postin. Pas takimeve me PDK-në, kjo e fundit ka kërkuar që presidenti të vijë nga radhët e saj, duke e zhvendosur edhe më tej kërkimin për një kandidat të pranuar nga të gjitha anët.