ShBA-ja pritet t’i shesë Turqisë dhjetëra motorë për aeroplanin ushtarak turk “Kaan”
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po planifikon që të lëvizë përpara me shitjen e dhjetëra motorë të aeroplanëve ushtarakë Turqisë, me vlerë të qindra miliona dollarëve, pavarësisht ankesave nga Kongresi, thanë të mërkurën katër burime të afërta me çështjen.
Agjencia “Reuters” raporton se ky është një gjest domethënës për Ankaranë para samitit të NATO-s që do të mbahet atje muajin e ardhshëm.
Motorët e prodhuar nga kompania “General Electric” do të përdoren në aeroplanin e parë luftarak turk, “Kaan”, projekt i madh që kishte filluar më 2016 si pjesë e përpjekjeve të Turqisë për të qenë më e vetëmjaftueshme në mbrojtje. Njëri nga burimet tha se pakoja do ta ketë vlerën mbi 700 milionë dollarë.
Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë pasur marrëdhënie përgjithësisht të ngrohta gjatë pushtetit të Trumpit, i cili rregullisht e çmon homologun turk, Rexhep Erdogan. Megjithatë, marrëdhënia e tyre është vënë në sprovë nga një mosmarrëveshje e gjatë për vendimin e Uashingtonit për ta larguar Turqinë nga programi i aeroplanëve luftarakë F-35 dhe për t’i vendosur sanksione, pasi Ankaraja mori sisteme ruse të mbrojtjes ajrore, S-400, për të cilat ShBA-ja thotë se paraqesin kërcënim për sigurinë.
Anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Gregory Meeks, i cili është edhe pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme në këtë institucion, kishte paraqitur ankesa gjatë procesit joformal të shqyrtimit dhe nuk ia ka dhënë dritën e gjelbër pakos, thanë dy prej burimeve, përfshirë një zyrtar amerikan.
Pavarësisht kësaj, shitja e motorëve për aeroplanët luftarakë pritet të finalizohet ditëve në vijim, e pasuar nga një njoftim formal nga Departamenti i Shtetit për Kongresin, thanë burimet.
Departamenti i Shtetit refuzoi që të komentonte për këtë çështje.
Turqia do t’i presë udhëheqësit e vendeve të NATO-s më 7 dhe 8 korrik, në kohën e tensioneve brenda aleancës për ndarjen e barrës, shpenzimet e mbrojtjes dhe ankesat e ShBA-së për rolin e aleatëve në përpjekjet për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit gjatë luftës ShBA – Iran./Nacionale