PRESIDENTI | Kurti: S'kemi figurë konsensuale, të shohim se çka mund të bëjmë nesër edhe pasnesër - NACIONALE

PRESIDENTI | Kurti: S'kemi figurë konsensuale, të shohim se çka mund të bëjmë nesër edhe pasnesër

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri vazhdon të jetë i paqartë, teksa tha para mediave se ende nuk ka pajtim mes partive për një figure konsensuale apo një marrëveshjeje të gjerë politike. Këto komente u bënë pas përfundimit të takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Për ngërçin aktual në zgjedhjen e kreut të shtetit, Kurti tha se kërkesa e PDK-së që propozimi të jetë partiak e ka komplikuar procesin. Ai shtoi se, ndonëse gjithçka mbetet ende e paqartë, do të shihet se si do të veprohet në ditët e mbetura.

Deklarimi i Kurtit për media:

“Çështja ngelet e hapur – mundësitë janë aty. A do të shfrytëzohen, do ta marrim vesh së shpejti. Ju e dini që ne si subjekt fitues i zgjedhjeve, si LVV bashkë me partnerët tanë GUXO dhe Alternativa, i kemi 57 deputetë. Së bashku me pakicat, përmbëjmë mazhorancën prej 66 deputetëve. Por nuk i kemi edhe 14 ende që të sigurohemi që gjithçka do të shkojë mbarë e mirë në ditën kur duhet ta zgjedhim Presidenten e Republikës. Ju e keni parasysh, unë herën e kaluar me 56 deputetë, u përpoqa që të zgjedhem kryeministër për t’i arritur 61 dhe nuk u bë e mundur përkundër faktit që gjithçka u stërzgjat për shumë muaj. E tash nuk jemi vetëm 5 deputetë larg, tash jemi 14 deputetë larg, që e bën situatën më të vështirë. Por si Vetëvendosje ne kemi mundësi që ta nxjerrim një kandidat sepse i bëjmë 30 nënshkrime. Bashkë edhe me pakicat, mund t’i nxjerrim edhe dy kandidatë. Edhe opozita, nëse nuk e përfshijmë Listën Serbe, janë 43 deputetë. Edhe opozita mund të nxjerrë kandidat. Kushtetuta na obligon që t’i evitojmë zgjedhjet, që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtetuta na thotë që ne duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje. Në anën tjetër obligon edhe deputetët që të votojnë. A do të realizohet kjo nuk e di, por kushtet janë ideale që t’i kemi edhe 3 kandidatë ndërkohë që aktualisht nuk është asnjë. Për shkak se mundësitë janë aty, unë do të vazhdoj të komunikoj në mënyrë që të arrijmë te rezultati dhe më pas edhe tek suksesi i zgjedhjes së Presidentes. Tash për tash nuk mund të them që ka diçka të re, sepse në njërën anë figurë konsensuale nuk kemi, ndërkaq në anën tjetër, marrëveshje politike po ashtu nuk kemi sidomos pasi nga PDK-ja tha se propozimi duhet të jetë partiak. Kjo e bën më të ndërlikuar çështjen. Ngelet edhe nesër edhe pasnesër të shohim se çfarë mund të bëjmë.”

Lajme të ngjashme