Thellohet skandali i Berishajt, shefi i Bordit të GEN-I: Kemi pasur kontratë me Martinin, është sekret biznesor
Në emisionin investigativ “Tarča”, të transmetuar të enjten nga televizioni shtetëror slloven, temë kryesore diskutimi ka qenë skandali financiar që ka përfshirë kompaninën energjetike GEN-I dhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ndërsa i ftuar në këtë emision ishte edhe kreu i ri i Bordit të kompanisë GEN-I, Maks Helbl – njëkohësisht bashkëshorti i i sekretares së përgjithshme të qeverisë së kryeministrit aktual slloven, Robert Golob - në një pikë gjatë fjalës së tij, sipas Albanian Post, Helbl e ka pranuar se dega e GEN-I në Beograd e ka paguar Martin Berishaj si konsulent, ndërsa e ka cilësuar këtë të fundit si njeri me njohuri për situatën politike në rajon.
“Berishaj na ka dhënë këshilla të rëndësishme. Ai është një person që ka një nivel të caktuar të besimit në publik, ka njohuri edhe për situatën politike në rajon, bazuar në njohuritë e tij ai është në gjendje të sigurojë informacione të nevojshme për tregjet e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë,” - citohet të ketë thënë Helbl, ndërsa bëhet e ditur se nuk ka pranuar ta bëjë publike kontratën mes kompanisë dhe Berishajt, pasi “janë dokumentacione të brendshme dhe nuk i zbulojnë për publikun”.
Duke folur për transaksionet e bëra nga GEN-I dega në Beograd - në shumë prej 475 mijë euro - për tek kompania e Martin Berishajt, bëhet e ditur se Helbl e ka mohuar se ato janë bërë mbi bazën e kontratave fiktive.
“Të gjitha transaksionet janë të bazuara mbi kontratat e shitjes së energjisë elektrike të realizuara nga Martin Berishaj. Ai dha informacionin e nevojshëm që është thelbësor për të bërë atë konkurrues në një treg të veçantë,”- ka thënë kreu i ri i GEN-I.
Në emisionin investigativ të realizuar të enjten, përveç Maks Helbl, të ftuar ishin edhe Zijad Beçiroviç, drejtori i IFIMES, lobisti Miloš Čirič, ish-drejtoresha e Zyrës për Parandalimin e Pastrimit të Parave Klaudija Stroligo dhe kryeministri aktual, Robert Golob i cili nuk ka marrë pjesë.
Ndër të tjera, njoftohet se gjatë këtij emisioni po ashtu është thënë se rasti më i nxehtë më të cilin është duke u marrë aktualisht policia sllovene, janë marrëdhëniet ballkanike të GEN-I.
Çfarë ka ndodhur?
Mediat sllovene e kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Në këtë aferë, ku dyshohet për shpërlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Televizioni slloven Planet TV në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven kishte raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.
Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

