Thellohet kriza: Kurti e konfirmon se Ambasada Amerikane s’e ka ftuar në takimin e 31 janarit - NACIONALE

Thellohet kriza: Kurti e konfirmon se Ambasada Amerikane s’e ka ftuar në takimin e 31 janarit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se nuk është ftuar në takimin e 31 janarit që do të mbahet në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, e ku çështja kryesore që do të diskutohet, është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kurti në një intervistë dhënë Radio Evropës së Lirë, ka thënë se “ata që janë ftuar, le të shkojnë në takim e le të diskutojnë”.

“Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.” – citohet të ketë thënë tutje ai.

Kurti, duket se është mjaft i nervozuar me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, duke thënë se ka pritur që ky i fundit në Beograd të deklarojë se Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, në vend se të kërkojë themelimin e Asociacionit.

“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.” – tha ai.

Lajme të ngjashme