The Guardian: Kosova ofrohet të bëhet vendi i parë që pranon azilkërkuesit e refuzuar nga Britania - NACIONALE

The Guardian: Kosova ofrohet të bëhet vendi i parë që pranon azilkërkuesit e refuzuar nga Britania

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Kosova është bërë vendi i parë që ka shprehur gatishmërinë për të pranuar azilkërkuesit e refuzuar nga Britania, si pjesë e planeve të qeverisë britanike për të ngritur “qendra kthimi” në vende të treta, shkruan The Guardian.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “dëshiron të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar” dhe ka konfirmuar se po zhvillohen diskutime me zyrtarë britanikë, sipas raportimeve të gazetës The Times, që transmeton Guardian.

Planet synojnë të dërgojnë persona, të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil dhe që kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore të apelimit, në qendra ndalimi jashtë vendit.

Deklaratat e tij vijnë në prag të një samiti të liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet të mërkurën në Londër dhe që do të udhëhiqet nga Keir Starmer.

“Duam ta ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar. E konsiderojmë këtë si një detyrë miqësore dhe politike. Kapacitetet tona janë të kufizuara, por sërish duam të ndihmojmë, dhe aktualisht ka komunikim të rregullt mes ekipeve tona zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe juristëve për ta bërë këtë në mënyrë të qetë dhe për përfitim të ndërsjellë”, citon The Guardian Kurtin.

Sic e citon The Guardian, Kurti ka thënë se në këmbim, Kosova do të donte të përfitonte “kryesisht në fushën e sigurisë – qoftë përmes marrëveshjeve strategjike apo përmes pajisjeve dhe projekteve që mund të realizojmë.”

“Sigurisht që duam, si shtet, të përfitojmë, por mbi të gjitha e konsiderojmë si detyrimin tonë të ndihmojmë, sepse ju na keni ndihmuar shumë dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, e citon Kurtin The Guardian.

Kosova vazhdon të mbetet një përjashtim në krahasim me fqinjët e saj në Ballkan.

Në qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se ideja që Britania të “kërkonte vende ku të shkarkonte emigrantë” do të ishte e paimagjinueshme para Brexit-it.

“Fakti që sot kjo jo vetëm që është e imagjinueshme, por po ndodh, nuk është për shkak se Keir Starmer apo [Rishi] Sunak kanë bërë diçka të jashtëzakonshme; është për shkak se vendi është në një gjendje të errët”, tha Rama.


Ai shtoi se “80% e gjërave që thuhen, shkruhen apo pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që [para Brexit-it] do të ishin krejtësisht të papranueshme, qesharake dhe të turpshme”.

Lajme të ngjashme