“Thaçi shantazohet, Haradinaj i shet interesat tona”: Çka i thoshte Kurti gazetarit të njohur gjerman më 2007? - NACIONALE

“Thaçi shantazohet, Haradinaj i shet interesat tona”: Çka i thoshte Kurti gazetarit të njohur gjerman më 2007?

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Erich Rathfelder-i është njëri nga gazetarët më të njohur gjermanë që e kanë përcjellë gjatë çështjen e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe posaçërisht rrugën e Kosovës drejt çlirimit më 1999 dhe pavarësisë në vitin 2008. Në lidhje me Kosovën, ai ka botuar edhe një libër goxha të vëllimshëm, me titullin “Kosova: Historia e një konflikti”, që është përkthyer e botuar në shqipe në maj të vitit 2023 nga "Artini".

Në këtë libër, që ka 383 faqe, Rathfelder-i ka edhe disa intervista të realizuara vite më parë me Hashim Thaçin, atëbotë kryeministër, Bujar Bukoshin, ish-kryeministër në ekzil, dhe Agim Çekun, ish-kryekomandant i UÇK-së.

Megjithatë, Rathfelder-i, që ishte shpallur "non grata" më 1998 nga Serbia për shkak të raportimeve për masakrën e Rahovecit dhe për dyshimet për varr masiv, ka edhe një intervistë me Albin Kurtin, kryeministër aktual i Kosovës. Në një intervistë personale me Rathfelder-in, siç edhe citohet në libër, Kurti kishte edhe atëbotë kritika të shumta për elitën politike, të cilën më vonë do ta cilësonte si “regjim”, transmeton Nacionale.

Sipas Kurtit, Thaçi, që atëbotë ende ishte kryetar i partisë më të madhe opozitare (PDK), po shantazohej nga ana e organizatës së Kombëve të Bashkuara, duke lënë të nënkuptohej se po shantazhohej për krime të luftës. Kurti e komenton dorëheqjen e Haradinajt në vitin 2005 për shkak të aktakuzës për krime lufte nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë. Në botën e Kurtit, një Haradinaj i shantazhuar po i shiste interesat e Kosovës.

“Ai (Kurti v.j.) u kthye në Prishtinë dhe iu kundërvu menjëherë të gjitha autoriteteve të mundshme. Ai fajësoi Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn, se po shantazhohen nga OKB-ja. “Haradinaj u dërgua në shtëpi nga Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës. Prandaj ai bën gjithçka që OKB-ja dëshiron dhe kështu ai shet interesat tona”, më tha mua” – shkruan autori gjerman, raporton Nacionale.

Ndërsa në intervistën e vitit 2007, Kurti ka edhe disa interpretime interesante, teksa e komenton mosdaljen në zgjedhje të qytetarëve në zgjedhjet parlamentare. Sipas tij, shumë qytetarë nuk kishin dalë në zgjedhje për shkak se nuk dinin për kë të votonin. Pastaj, ai vlerësonte se politikanët kosovarë ishin të dëgjueshëm për shkak se shantazoheshin për korrupsionin e tyre.

“Shumë njerëz nuk kanë dalë në zgjedhje, sepse nuk e dinë për kë të vendosin. UNMIK-u dëshiron që me ndihmën e politikanëve të dëgjueshëm kosovarë, të cilët janë të shantazhueshëm për shkak të korrupsionit të tyre, t’i zbatojë interesat e bashkësisë ndërkombëtare. Këtë njerëzit e ndiejnë” – theksonte Kurti në dhjetor të vitit 2007.

Në intervistën me Rathfelder-in, Kurti vlerësonte se pavarësia e Kosovës s'do të ishte e vërtetë. Madje, ai kishte përdorur një togfjalësh problematik, "e ashtuquajtura Kosova e pavarur", por duke dhënë një sqarim prapa këtij mendimi.

"E ashtuquajtura Kosova e pavarur nuk do të jetë pra aq e pavarur. Është ende një rrugë e gjatë deri te pavarësia e vërtetë. Na duhet një shtet i mirëfilltë, ne duam një ulëse për Kosovën në OKB, duam ta çojmë Kosovën në BE, mirëpo nuk e duam BE-në si sunduese në Kosovë"- sqaronte Kurti.

Lajme të ngjashme