Thaçi në mes, detajet e reja: Qysh ndodhi përplasja e Grenellit me ‘Bishën’?
Gjatë ditës së djeshme ishim dëshimtarë të një përplasjeje të ashpër që në qendër kishte dy ish presidentë, Hashim Thaçin dhe Donald Trumpin. Ambasadori i ShBA-ve në Gjermani dhe i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi u kap me “Bishën Ditore” (The Daily Beast) për një raportim. Çka ndodhi?
Ish kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith, tashmë ka pas vetes sytë e gati krejt dynjasë. Ai është emëruar Prokuror Special në hetimet për rastet kriminale të ish presidentit Donald Trump. Pak a shumë prej tij, dhe ekipit të stërmadh që ka me vete, varet nëse Donald Trump do të paditet dhe shkojë në burg ose jo.
Gazeta e famshme amerikane The Daily Beast përmes gazetarit Jose Pagliery përgatiti dje një shkrim të gjatë ku profilizonte Smithin, duke i dhënë merita të jashtëzakonshme për padinë e ngritur ndaj ish presidentit tonë, Hashim Thaçit. Ai aty rrëfente se si kishte pasur vazhdimisht mbrojtje kolektive për krimet. Se si kishte pasur heshtje kolektive. Por, edhe vdekje dëshmitarësh.
Ndërkohë, u duk se po relativizonte skandalet që i kishin ndodhur Speciales nën drejtimin e Smithit.
Çka u tha në artikull?
Në këtë artikull folën edhe Clint Williamson dhe David Schwendiman. Nuk u tha asnjë fjalë e keqe për Jack Smithin.
Për të marrë pak erë mbi të vërtetën e artikullit, shihni se si fillon dhe se si përfundon ai:
“Dëshmitarët kishim humbur shpresën e ishin zhdukur. I dyshuari numër 1 për krimet ishte bërë president. Dhe padia e shumëpritur ishte bërë e paarritshme. Atëherë, prokurori amerikan Jack Smith mori rastin në dorë, duke i dërguar hetuesit e tij në një mision agresiv për të rikthyer mbrapsht besimin e tyre duke iu vënë pas politikanëve gojëkyqur dhe militantët nacionalistë që i kishin mbajtur të heshtur.” – shkruhej në këtë shkrim.
Aty tregohej se si UÇK-ja kishte fituar statusin e heroit dhe se si ishte e pamundur të përndiqeshin për krime lufte luftëtarët e saj... derisa erdhi Jack Smithi.
Çka tha Grenelli?
Grenell absolutisht ‘u tërbua’ pasi lexoi artikullin në fjalë.
“Jose-ja nuk mund të jetë aq budalla – ai duhet ta ketë një agjendë. Pyeteni veten – pse Jack Smithi e paditi Thaçin pak javë para se Trumpi t’i jepte fund punës së tij në Evropë? Dhe pas vitesh mospunë – pa asnjë detajë në aktakuzë?” – shkroi fillimisht z. Grenell.
Më pas, ai vazhdoi duke treguar pse aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale që drejtohej nga Jack Smith nuk qëndronte dhe ishte e pabazë.
Por, ai vazhdoi më tej duke treguar edhe arsyen pse Smith kishte ngritur atë aktakuzë dhe pse nën ato rrethana.
Ai ndau edhe informacione që nuk ishin ditur asnjëherë: palët ishin pajtuar që Gjykata Speciale të merrte fund (çka do të çonte edhe në humbjen e punës nga Jack Smith).
“Jack Smithi e paditi Hashim Thaçin pasi i thashë Bruce Schwartzit të Departamentit të Drejtësisë se palët ishin pajtuar t’i jepnin fund Gjykatës Speciale dhe Jack Smithi do ta humbte vendin e tij të punës (si kryeprokuror i Speciales). Thaçi po vinte në Shtëpinë e Bardhë për ta përfunduar marrëveshjen finale.” – rrëfeu z. Grenell në postimet e tij.
Sa për rikujtim, Hashim Thaçi kishte qenë duke fluturuar drejt ShBA-ve kur ishte ngritur aktakuza ndaj tij. Po shkonte për në Shtëpinë e Bardhë që të diskutonte marrëveshje me Serbinë. Grenell ishte njeriu kryesor i Amerikës.
Në Kosovë ishte spekuluar për një gjë të tillë, por asnjëherë askush që kishte qenë i afërt me këto informacione nuk e kishte ditur.
Ndërkohë, Grenelli vazhdon sulmet ndaj The Daily Beast edhe tash, pasi para disa orëve shkroi këto fjalë:
“Redaktorja e Daily Beast Tracy Connor thotë që ajo “gërmon fort” kur raporton. Po qesh me zë. Ajo kurrë s’e ka thirrur askënd që ka negociuar marrëveshjen Kosovë-Serbi që bëri që Jack Smithi të ngutej e ta padiste Hashim Thaçin. Padi që është kritikuar gjerësisht pasi nuk kishte detaje.”
A u adresua kjo nga ana e ‘Bishës’?
Po, por në mënyrë relativizuese.
“Zyra e Smithit kishte po ashtu edhe pjesën e saj të incidenteve të diskutueshme nën mbikëqyrjen e saj.” – shkruhet në artikull.
“Tronditja e parë erdhi në qershorin e vitit 2020, kur zyra e tij duket se theu rregullat duke zbuluar që në mënyrë sekrete e kishte paditur Thaçin muaj më herët. Por njoftimi, i bërë në një komunikatë shtypi, u publikua vetëm pasi presidenti kosovar kishte hipur në aeroplan për ta takuar Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.”
The Daily Beast citon një person që dëshironte të mbetej anonim që iu tha se Thaçi do ta përdorte takimin me Trumpin që t’i bënte presion ShBA-ve për ta hequr rastin ndaj tij në Gjykatën Speciale. Kjo e amniston z. Smith nga ajo që bëri.
Si një tjetër skandal raportohet edhe ajo që ka ndodhur me rrjedhjen e dokumenteve nga Prokuroria Speciale.
Kujtojmë se Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar protestë kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë më 24 dhjetor.
Ndërkohë, ja si përfundon artikulli me një paralajmërim mjaft të errët për Thaçin:
“Krejt sytë janë drejtuar kah Smithi derisa amerikanët me ankth presion padinë e mundshme ndaj Trumpit, që mund të vijë për disa javë, muaj apo fare hiç. Por ata që i kushtojnë vëmendje matanë Atlantikut mund ta shohin shpejt se sa efektiv që ai (Jack Smithi) është. Ish presidenti i turpëruar i Kosovës pritet të dalë para gjyqit në fillim të vitit 2023."


