"Tërhiqu", "mos e respekto zotimin": Kurtit i reagohet pasi u mor me marrëveshjen e Thaçit me NATO-n për FSK-në - NACIONALE

"Tërhiqu", "mos e respekto zotimin": Kurtit i reagohet pasi u mor me marrëveshjen e Thaçit me NATO-n për FSK-në

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të dielën më 1 dhjetor ka mbajtur përsëri konferencë për media pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor. Kurti në këtë konferencë ndër të tjera përmendi edhe marrëveshjen e vitit 2013 e ish-kryeministrit Hashim Thaçi me NATO-n, në të cilin Forca e Sigursisë së Kosovës (FSK) nuk lejohet të shkojë në veri të vendit. Për këto deklarata të Kurti, reaguan anëtarë të PDK-së dhe analistë të tjerë.

Kryeministri Kurti në dy konferenca të jashtëzakonshme të thirrura për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit përmendi marrëveshjen e cila pamundëson dërgimin e FSK-së në veri.

Në konferencën e mbajtur të dielën, ai tha se jemi të hendikepuar në veri të vendin për shkak të mosdërgimit të FSK-së atje. Ai përmendi marrëveshjen e ish-kryeminsitrit, Hashim Thaçi me NATO-n.

“Në veri jemi të hendikepuar pasi ushtria jonë, që nga zotimi i Thaçit në 2013, s'mund të shkojë në veri e atje s'është situata si në pjesë të tjera të vendit tonë. Nga nervozizmi, Serbia i rrit aksionet e tilla, meqë nuk e posedojnë më veriun e Kosovës. Dëshirojnë të thonë se s’do t’iu lëmë rehat. Kjo tregon se ata kanë humbur, por nuk duan që ne të fitojmë, të jetojmë...” – tha Kurti.

Në këtë kontekst, gazetari Lirim Mehmetaj reagoi në Facebook, duke e vënë në pah rolin historik të Thaçit në formimin dhe ndërkombëtarizimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Albin Kurti në konferencë për media: “Në veri jemi të hendikepuar pasi ushtria jonë, që nga zotimi i Thaçit në 2013, s'mund të shkojë në veri e atje s'është situata si në pjesë të tjera të vendit tonë..." Hashim Thaçi e ka themeluar një ushtri, e ka shtrirë në gjithë territorin e Kosovës dhe në fund e ka bindur botën demokratike t’i bëhet aleate asaj ushtrie. E ti, ushtrinë veçse e ke, thjesht ke me çu në veri të vendit. As qekaq s'mundesh me ba. Tuc bre. Tuc.” – shkroi Mehmetaj në reagimin e tij në Facebook.

Ndërsa anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, i bëri thirrje Kurtit që të rezervohet nga përmendja e tij, nëse nuk mund ta mbështesë në përballjen e tij dhe të krerëve të tjerë të UÇK-së me Dhomat e Specializuara në Hagë.

“I nderuari Kryeministër, Armiqtë e Kosovës, ata të vërtetit janë jashtë Kosovës, e ata imagjinarët janë vetëm në mendjen tuaj. Hashim Thaçi, opozita, mediat, nuk qeverisin me Kosovën. E keni shumicën absolute, vendimet i merrni ju, si për polici, si për AKI, si për FSK-në. Ato vendime që janë në funksion të fuqizimit të Republikës i mbështesim edhe ne. E Hashim Thaçin, nëse nuk mund ta mbështesni, lejeni rehat. Sot ai është në betejë për historinë dhe të ardhmen tonë.” - tha Çitaku.

Nga ana tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i quajti “ofendim për publikun” deklaratat e Kurtit, ndërsa shtoi se në kushte paqeje, Ushtria e Kosovës nuk ka kompetencë për të bërë roje në objektet kritike, pasi kjo detyrë u përket shërbimeve të inteligjencës dhe policisë.

“Sidoqofte, eshte ofendim per publikun dhe marre me dal nje kryeminister dhe me rrejte kaq hapur, me mashtru qytetarin keshtu. Partive politike iu ka hije me ba politik, me jep premtime te kapshme, me iu jep ngjyra premtimeve edhe me çmimin qe me mbet ne pushtet. Ama me rrejte ne menyre kaq te ulte me kriza dhe me sulme qe e cenojne infrastrukturën jetike te Republikes se Kosoves me se paku me thane eshte poshtersi e llojit te veçante... Deshtimin e tij si kryeminister dhe qeverise qe e udheheq, maestro I mashtrimit tenton me shpernda krejte dikund tjeter.” – ka thënë ndër të tjera ai në Facebook.

Edhe analisti nga Amerika, Uk Lushi i kërkoi Kurtit të mos e respektoj letrën e Thaçit duke e ftuar që ta dërgojë FSK-në Ujman dhe pika strategjike në Leposaviq.

Ndërsa, anëtari i PSD-së, Zgjim Hyseni i rekomandoi kreut të qeverisë të “tërhiqet prej letres kryeministër, n'dorë e ki”.

Kujtojmë se pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, Qeveria Kurti i bëri kërkesë KFOR-it për dërgimin e FSK-së në veri, mirëpo sipas raportimit të REL, kjo kërkesë u refuzua.

"Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i", ka njoftuar KFOR-i.

Lajme të ngjashme