Reagon NATO për zgjedhjet serbe: Silluni përgjegjshëm, përmbahuni nga veprimet që përshkallëzojnë situatën - NACIONALE

Reagon NATO për zgjedhjet serbe: Silluni përgjegjshëm, përmbahuni nga veprimet që përshkallëzojnë situatën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Zgjedhjet në Serbi që do të mbahen më 3 prill, kanë shkaktuar kuptueshëm një valë të madhe reagimesh edhe në Kosovë e tek faktori ndërkombëtar, i cili tentoi madje të ndërmjetësonte mes palës kosovare e asaj serbe. Për shkak të kërkesës së Kosovës për një marrëveshje paraprake me Serbinë për të lejuar zgjedhjet serbe në territorin kosovar, situata gjatë javëve të fundit u tensionua.

Ditëve të fundit u përmend mundësia e konfliktit të armatosur, vrasjeve të serbëve nga policët shqiptar e grupeve ekstremiste serbe në Kosovë. Për më shumë, si pasojë e pjesëmarrjes në takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u suspendua nga puna gjyqtarja Liliana Stefanoviç, i cili vendim ngjalli reagimin e serbëve që protestuan të premten e kaluar.

Ndonëse kryeministri Albin Kurti, duke folur në gjuhën serbe, u kërkoi serbëve të Kosovës të mos manipulohen nga pushteti autoritar i Vuçiqit, nuk dihet se çfarë zhvillime do të ngjajnë në një kohë të përplasjeve të ashpra verbale.

Për këtë periudhë tensionesh mes fqinjëve, për Gazetën Nacionale ka folur Selia Qendrore e NATO-s, aleancës politiko-ushtarake të Perëndimit.

Në përgjigjen nga Divizioni për Diplomaci Publike i Zyrës Qendrore të NATO-s, thanë se KFORI si mision i udhëhequr nga NATO mbetet i përkushtuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij duke operuar ngushtësisht me Policinë e EULEX për të ofruar siguri për të gjitha komunitetet.

E për situatën verbalisht të rënduar politike mes Kosovës e Serbisë, ata kanë ftuar të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi.

“Ne presim që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive dhe të përmbahen nga fjalët dhe veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet në mënyrë të panevojshme. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë me vendosmëri Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është e vetmja rrugë drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike dhe stabilitetit për rajonin”, thuhet përgjigjen për Nacionale.

Rreth situatës së sigurisë në vend e me theks të veçantë në pjesën veriore, Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresë të Policisë së Kosovës. Por deri në botimin e këtij shkrimi, Policia nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e shtruara nga gazeta.

Por, çfarë mund të ndodh gjatë kësaj jave?

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, javën ‘D’ e vlerëson si tejet interesante duke sugjeruar të ndiqen ‘veprimet e grupeve kriminale të organizuara nga Beogradi’.

“Pra ajo çka dihet deri më tani është fakti që: 1. Beogradit zyrtar ka tentuar të krijojë një narracion për sulm eventual me viktima qytetarë serb të Kosovës duke filluar nga Presidenti deri të ministrat e Qeverisë së Serbisë. 2. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Serbisë dhe marrja pjesë e bartësve të institucioneve si Gjykatë, Polici të Kosovës tregon faktin që edhe institucionet tona janë të komprometuara nga strukturat e tyre të sigurisë për pjesën veriore të vendit”, tha Shala për Nacionale.

Tutje ai deklaroi se nga ajo çfarë ngjau javëve të fundit duhet të jetë paralajmërim për skenarët e mundshëm të Serbisë.

Sipas Shalës serbët në veri të vendit mund të nxiten të deklarojnë një anshëm themelimi ne Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Institucionet e Kosovës, niveli qendror duhet të ketë parasysh që java "D", por edhe pas kësaj jave mund të priten zhvillime në terren duke tentuar qe të nxitet komuniteti serb në Kosovë kundër institucioneve të vendit, duke shkuar deri në masën e proklamimit dhe jetësimit të ASK-së me tendencë autonomie. Organet e sigurisë mendoj që kanë paraparë veprime eventuale në rast të zhvillimeve në terren për të reaguar në garantimin e sigurisë nacionale të vendit”, shtoi Shala.

Gjatë javës që iku, përplasjet rreth zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk munguan.

Përderisa kryeministri kosovar këmbëngulte për një kërkesë nga Serbia për të lejuar zgjedhjet serbe në Kosovë, atë e refuzoi presidenti serb me pretekstin se do të ishte njohje e ‘tërthortë’ e shtetësisë së Kosovës.

Shefi i ezkekutivit kosovar mori një sërë reagimesh nga bashkësia ndërkombëtare, e cila tentoi të ndërmjetësonte një rrugëzgjidhje për zgjedhjet serbe.

Me anë të një deklarate, Ambasadat e QUINT-it theksuan se vendimi i Qeverisë së Kosovës minon aspiratat evropiane të vendit.

“Me këtë vendim Qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile e politike të të gjithë qytetarëve, përfshire atyre të grupeve minoritare. Një sjellje e këtillë nga Qeveria e Kosovës s’është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe i minon aspiratat e tyre evropiane”, thuhej në deklaratën e përbashkët të Ambasadave të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Italisë.

E fjalë për këto kritika pati edhe kryeministri Kurti, i cili në një intervistë në një vjetorin e qeverisjes së tij i cilësoi si ‘të ashpra’.

Në anën tjetër, Serbia gjatë javës së kaluar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të suspenduar gjyqtaren Stefanoviç e cilësoi si ‘një hap më afër konfliktit të armatosur’.

E të premten, Vuçiq shkoi një hap më tutje duke përmendur vrasjen e serbëve nga Policia e Kosovës nëse do të tentohej të organizohej votimi për zgjedhjet e 3 prillit.

Lajme të ngjashme