Paaftësia e Qeverisë Kurti: Halimi dekonstrukton narrativën e VV-së për Deklaratën e të Pagjeturve - NACIONALE

Paaftësia e Qeverisë Kurti: Halimi dekonstrukton narrativën e VV-së për Deklaratën e të Pagjeturve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sociologia dhe zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, e ka bërë një koment të gjatë dekonstruktues për Nacionalen mbi çështjen më të nxehtë aktualisht në debatin publik: Deklaratën për të pagjeturit. Çka dekonstruktoi znj. Halimi?

Nacionale e pyeti Halimin mbi Deklaratën në fjalë, dhe ajo ktheu në vëmendje një problem tjetër që duket sikur është harruar në opinionin publik nga Marrëveshja e 27 shkurtit: termin “tejkalim i trashëgimisë të së kaluarës”.

“Premisën fillestare të definimit të ri për të krijuar një marrëdhënie të re shoqërore e patëm në preambulën e parë të marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Ballafaqimi me të kaluarën” u zëvendësua me “Tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës”. Ndërsa, në takimin e fundit në Bruksel, specifikisht diskutimi për çështjen e të pagjeturve, aktualizoj sërish rikonceptimin e nocioneve që predeterminojnë rrjedhimisht edhe definimin e së kaluarës.” – tha znj. Halimi në komentin e saj.

Pra, ajo vë në pah lidhshmërinë mes trashëgimisë të së kaluarës që kishte shkaktuar shumë bujë si term më 27 shkurt dhe Deklaratës që u miratua nga Kurti e Vuçiqi më 2 maj.

“Serbia ia ka dalë ta shmang nga marrëveshja termin e njohur nga OKB për personat e zhdukur me dhunë “enforced disappearance”. Si rezultat i paaftësisë së kësaj qeverisje mbi termet bazë dhe mendësisë populliste të politikëbërjes, “Personat e zhdukur me dhunë” është zëvendësuar në “Personat e zhdukur me forcë”” – ka argumentuar tutje sociologia Halimi.

“Hannah Arendt në veprën e saj të njohur “Mbi dhunën” bën një dallim të qartë ndërmjet dhunës, forcës dhe autoritetit. Sipas saj dhuna shquhet për karakterin e saj instrumental, është politike, ndërsa forca është veprim kryesisht individual dhe shteti zhveshët nga përgjegjësia për planifikimin e krimeve të kryera. Prandaj, Serbia ia ka dalë që ta shmang nga marrëveshja termin e njohur nga OKB për personat e zhdukur me dhunë dhe rrjedhimisht terminologjia në marrëveshje tash është zbutur.” – vazhdon ajo.

Por, a doni ta dini se si e mbronte Besnik Bislimi deklaratën në fjalë? Ju ftojmë të klikoni në vegzën e mëposhtme:

Komenti i plotë dhe pa ndëryhrje:

Sensacionalja politike e dialogut është e përqendruar kryesisht në asociacionin, por epiqendra e diskutimit është më shumë e orientuar në emërimin e së kaluarës.

Premisën fillestare të definimit të ri për të krijuar një marrëdhënie të re shoqërore e patëm në preambulën e parë të marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Ballafaqimi me të kaluarën” u zëvendësua me “Tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës”.

Ndërsa, në takimin e fundit në Bruksel, specifikisht diskutimi për çështjen e të pagjeturve, aktualizoj sërish rikonceptimin e nocioneve që pre determinojnë rrjedhimisht edhe definimin e së kaluarës.

Serbia ia ka dalë ta shmang nga marrëveshja termin e njohur nga OKB për personat e zhdukur me dhunë “enforced disappearance”.

Si rezultat i paaftësisë së kësaj qeverisje mbi termet bazë dhe mendësisë populliste të politikëbërjes, “Personat e zhdukur me dhunë” është zëvendësuar në “Personat e zhdukur me forcë”.

Pretendimi për të prezantuar se nocionet ‘forcë’ dhe ‘dhunë’ janë sinonime është e gabuar dhe tërësisht e pasaktë.

Përdorimi i termit ‘forcë’ redukton problemin e të pagjeturve në një dimension vetëm fizik, bartje. Derisa, e amneston palën serbe nga tortura, veprimet që kanë shkaktuar dëme psikike, emocionale duke e përfshirë edhe përdhunimin dhe poshtërimin. Ndonëse, forca apo shtrëngimi fizik në definimin e dhunës është vetëm njëri dimension.

Hannah Arendt në veprën e saj të njohur “Mbi dhunën” bën një dallim të qartë ndërmjet dhunës, forcës dhe autoritetit.

Sipas saj dhuna shquhet për karakterin e saj instrumental, është politike, ndërsa forca është veprim kryesisht individual dhe shteti zhveshët nga përgjegjësia për planifikimin e krimeve të kryera.

Prandaj, Serbia ia ka dalë që ta shmang nga marrëveshja termin e njohur nga OKB për personat e zhdukur me dhunë dhe rrjedhimisht terminologjia në marrëveshje tash është zbutur.

Përveç se në preambulë është thënë “persons forcibly disappeared” që i bie Personat e zhdukur me forcë, në vazhdim flitet vetëm për persona të pagjetur.

Kjo zmbrapsje ia heq Kosovës mundësinë që pas anëtarësimit në KiE ta padiste shtetin serb në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe po ashtu, familjarët e personave të zhdukur me dhunë do të mund të kërkonin dëmshpërblim nga Serbia.

E kaluara duhet të marrë vëmendjen tonë - të vendoset drejtësia si përmbushje, prehje, për viktimat - për ta fituar të sotmen.

Lajme të ngjashme