Të shtëna ndaj Policisë, fshehje e sulmuesve në Manastir: Cila është gjendja aktualisht në veri? - NACIONALE

Të shtëna ndaj Policisë, fshehje e sulmuesve në Manastir: Cila është gjendja aktualisht në veri?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Polici Afrim Bunjaku u qëllua me armë zjarri mëngjesin e sotëm në veri, duke mbetur i vrarë. Një tjetër polic është plagosur. Krejt kjo pasi zyrtarët e Policisë iu përgjigjën një thirrje se rruga në Banjskë është bllokuar. Por, cila është gjendja aktualisht në veri?

Mediumi Telegrafi po raporton se ka të shtëna të vazhdueshme nga grupet kriminale serbe në drejtim të Policisë së Kosovës. Sipas këtij mediumi, grupi i sulmuesve është fshehur në një Manastrit që ndodhet afër fshatit Banjskë.

“Telegrafi merr vesh se personat të cilët dyshohet se kanë kryer sulmin vazhdojnë të qëndrojnë ende në Manastirin e Banjska me mjete të blinduara. Këta persona kanë sulmuar edhe stacionin policor në Leposaviq, ndërkaq herë pas here ka edhe gjuajtje në drejtim të policisë”, thuhet në raportimin e Telegrafit.

Një gjë e tillë mbetet e pakonfirmuar, pasi Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje se ku po qëndrojnë sulmuesit.

Manastir Banjska - Manastiri Kosova i Metohije 2021 - Dobročinstvo

Policia e Kosovës ka konfirmuar në reagimin e tyre se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, janë të vazhdueshme.

“Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

Se ka gjuajtje të vazhdueshme e ka thënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjskë të Zveçanit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”, ka shkruar Albin Kurti.

May be an image of map, road and text

Si pasojë e krejt kësaj situate, pritet edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Në komplet pjesën veriore të Kosovës ka forca të shtuara të Policisë, forca të KFOR-it dhe të EULEX-it.

Deri më tash kanë reaguar ashpër kryeministri Albin Kurti, presidentja Osmani, kryetari i Kuvendit Konjufca, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj e zyrtarë të tjerë.

Megjithatë, nuk ka ndonjë reagim nga spektri ndërkombëtar.

Por, si ndodhi sulmi?

Policia e Kosovës ka dhënë detaje konkrete për mënyrën se si u krye sulmi ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Policia e Kosovës (PK) në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore, sipas detyrës zyrtare ka të angazhuara njësi patrulluese në nivel vendi, me qëllim të kryerjes së detyrave policore në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.

Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Lajme të ngjashme