“Të sëmura psiqikisht”: Qytetarët tmerrojnë me komente kundër grave që protestuan për 8 Mars - NACIONALE

“Të sëmura psiqikisht”: Qytetarët tmerrojnë me komente kundër grave që protestuan për 8 Mars

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Ka disa vite që 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, në Kosovë shënohet përmes marshimit protestues, i cili synon të vetëdijësojë shoqërinë për luftën rreth barazisë gjinore. Njëjtë ishte edhe këtë 8 mars, pasi shumë gra e burra marshuan në Prishtinë, nën moton “Marshojmë, s’festojmë”, parullë që është shndërruar në kushtrim për përpjekje më të shumta për barazi gjinore. E si gjithnjë, qytetarët nuk kanë humbur rastin të komentojnë këtë ngjarje. Natyrisht, me përçmim e qëndrime politikisht jokorrekte, përfshirë gjuhë seksiste. Çka komentuan qytetarët?

Së pari, marshimi protestues u fokusua në punën e papaguar të grave, e cila punë, sipas Kolektivit Feminist, që e organizoi këtë protest, vazhdon të mbajë shoqërinë, ekonominë dhe shtetin.

“Puna e papaguar e kujdesit vazhdon ta mbajë shoqërinë, ekonominë dhe shtetin duke i performuar punët të cilat janë esenciale për vazhdimin e jetës dhe riprodhimin shoqëror. Megjithatë, duke iu lënë si punë e grave, ajo vazhdon të mos njihet si punë dhe të vjelët pa pagesë.”- thuhej në deklaratën e këtij kolektivi.

Gazeta Nacionale e përcjelli këtë marshim, duke postuar lajme e një video në lidhje me protestën. E në këtë të fundit, kanë shpërthyer shumë komente aspak dinjitoze, përfshirë ofendime ndaj grave protestuese.

Një qytetar me emrin Shpat Siniridi, i quajti të sëmurë psiqikë protestueset, teksa përmendi edhe “nervat e burrave” e flakareshat ndaj grave.

“Njerz te smure psiqik

Ne ven se me gjete naj testo per dark ku ka muzike mu knaqe deri ne mesnate . E mu kthy ne shpi nerjorgan nxehte e me pase burrin aty .keto kane dale ketu me ja rrite nervat burrave me flakareshe posa te kthehen ne shpi.” – komentoi ai.

Në mesin e komenteve ishin edhe ato për përgatitjen apo gatimin e drekës e darkës për familjarët, një reduktim i grave në “amvise”.

“Hecni more te shpia e qitne naj pite a fli. Burim F Bucolli fol vllavit fol” – shkroi Burim Leonis Dreshaj.

“qy qy budallaki ska skej” – shkroi Ardi Record.

Ndërsa Riza Riza Baliu shkroi me “nostalgji” për kohën e shkuar, duke përmendur “stupcin”, i cili sipas tij i ka “qitë në terezi gratë”.

“O valla mir ukan para 30 vitesh qe pos stupcu ika qit terzi krat a vakt o vakt” – shkroi Riza Riza Baliu.

Ndërsa një qytetar me emrin Bekim Nevzati Rexhepi hedhi dyshime mbi financimin e organizatave feministe, duke i quajtur profitere.

“Nuk e egziston organizat e mirefilltë e te drejave te Grave, kto janë vetem profitere te granteve kinse per kauz te te drejtave.

Çdo dite shkelen drejtat e grave gjithandej dhe çdo ditë. Kurse kto dalin vetem se kur janë dite te caktuara dhe ndonje rast qe behet publik ne medija.” – shkroi ndër të tjera ai.

Ndërsa një tjetër i denigroi pjesëmarreset duke i quajtur “organizata të feminiqkave e vejushkave me frizura mushki”.

Ndryshe, Kolektivi Feminist përmendi edhe dhunën e shtuar ndaj grave. Kujtojmë që në raportet e publikuara nga Polica e Kosovës, vetëm në vitin 2022, janë raportuar 88 raste të përdhunimit, 87 raste të ngacmimit seksual si dhe 62 raste të sulmit seksual.

“Në Kosovë, dhuna seksuale vazhdon të mbetet epidemike dhe thellësisht e gjinizuar. Ajo vazhdon t’i rrezikojë vajzat dhe gratë në shtëpi, marrëdhënie martesore, shkolla, vende punë, rrugë e hapësira të tjera publike apo private. Rritja e raportimit e evidentuar viteve të fundit në Kosovë, përveç që është duke e treguar përhapjen e gjerë të krimeve seksuale, është duke e vënë në sipërfaqe çdo herë e më shumë kundërshtimin dhe rezistencën e vajzave dhe grave nga dhuna e vazhdueshme ndaj tyre.’’- thuhet në reagimin e kolektivit Marshojmë S’festojmë.

Lajme të ngjashme