Të gënjesh albinçe për Maqedoninë - NACIONALE

Të gënjesh albinçe për Maqedoninë

3 javë më parë

nga Col Mehmeti

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti sot ia ka bërë përhajr aleatëve të vet në Maqedoni, nga koalicioni VLEN, fitoren në dhjetë komuna. Megjithëse fituese absolute është vetëm VMRO-DPMNE-ja që i mori 55 komuna, ish-kryeministri i është gëzuar ‘fitoreve’ të aleatëve të tij VLEN-istë të cilët u ndihmuan aktivisht nga elektorati maqedon. Atij nuk i ka bërë aspak përshtypje që sherri i aleancës mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, shqiptarët e humbën pushtetin lokal në tri komuna ku përbëjnë shumicën: Kërçovë, Butel dhe Bërvenicë. Kurti është i vetmi që sheh “perspektivë evropiane” në Maqedoninë e Veriut, e cila nga korriku i këtij viti po fshikullohet nga vetë Brukseli e BE-ja për rrëshqitje drejt projektit të ‘botës serbe’.

Col MEHMETI

6 nëntor 2025 – Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka quajtur sukses të madh fitoren në dhjetë komuna të aleatëve të tij nga koalicioni ‘VLEN’.

Katër ditë pas balotazhit në Maqedoninë e Veriut, ish-kryeministri i ka ngritur në hava dy miqtë e tij, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, për fitoret e tyre në Çair dhe Tetovë.

Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen, me diferencë të thellë”, ka shkruar Kurti.

Izeti e Billi fituan falë ‘makedonskite glasovi’

Ata që thirren si këshilltarë të ish-kryeministrit duket se tablonë nga Maqedonia e Veriut e kanë bojatisur në mënyrë dëshirore dhe në përputhje me interesat partiake në të dyja anët e kufirit.

E vërteta është se asnjëri nga dy miqtë e Kurtit nuk ka pasur “diferencë të thellë” kundrejt rivalëve nga radhët e koalicionit ‘Aleanca Kombëtare për Integrim’.

Kur nga funksioni i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësor, Izet Mexhiti iu përvesh garës lokale për të parin e Çarit, ai vërtet doli fitues në rrethin e parë me 15.776 vota kundrejt Bujar Osmanit nga koalicioni ‘Aleanca Kombëtare për Integrim’ me 12,308 vota.

Por, këtu fshihet një alamet zhvillimi domethënës.

Lista e këshilltarëve të koalicionit VLEN për komunën e Çairit mblodhi vetëm 13,509 vota, pra një dallim prej 2,267 votash.

Kjo sasi përkon, jo rastësisht, me numrin e votave që morën dy koalicionet maqedone, LSDM dhe VMRO-DPMNE, që morën gjithsejt 2,276 vota.

Këto vota maqedone, pas çdo gjase, shkuan në llogari të Mexhitit vetëm e vetëm që të thyhej rivali i tij, Bujar Osmani, me të cilin deri në gusht të vitit 2023 ishin në të njëjtën parti.

Në anën tjetër, Bilall Kasami nuk arriti të dilte fitues në rrethin e parë të votimeve për komunën e Tetovës përballë kandidatit nga radhët e AKI-së, Bajram Rexhepi.

Me këtë të fundit u ballafaqua edhe në balotazh – këtë herë ‘Billi’ doli fitues me 21,308 vota ose 53,62% kundrejt rivalit të tij që mori 16,295 vota ose 41,01%.

Nëse në rrethin e parë Bilall Kasami kishte marrë 19,028 vota, rritja e tij në balotazh me shumë gjasë ishte falë votuesve maqedonë.

Vetë kreu i Lëvizjes Besa e kishte pranuar që ka marrë mbështetje nga VMRO-DPMNE-ja në Tetovë.

Sigurisht, mbështetja politike vjen nga partnerët e koalicionit, sepse kemi pasur një marrëveshje parimore që në raundin e parë, ku nuk kemi kandidatë tanë, partnerët do të përkrahin kandidatët tanë dhe ne do të përkrahim kandidatët e tyre”, kishte thënë Kasami.

Jo zgjedhje programesh, por garë etnike

Tutje, në mesazhin e tij përhajrues Kurti i ka lavdëruar aleatët e tij të vegjël në Maqedoni të Veriut se kanë “qeverisur me duar të pastra”.

Suksesi në zgjedhjet lokale është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut. Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara”, ka shkruar ai.

Njohuritë e këshilltarëve të Kurtit janë të pasakta për realitetet lokale në Maqedoninë e Veriut dhe dinamikat e zgjedhjeve lokale.

Balotazhi ishte veçse garë etnike dhe mobilizimi i konstituencave elektorale të VMRO-DPMNE-së ishte një strategji për të mënjanuar politikisht BDI-në – në këso rrethana, votat maqedonase nuk kanë zgjedhur mes programesh a alternativash politike, por thjesht janë udhëhequr nga synimi për të eleminuar kandidatë shqiptarë ose për të ndihmuar kandidatë të tjerë të pëlqyeshëm për ta.

Shembulli 1: Struga

Rasti më eklatant është ai i Mendi Qyrës në Strugë, i cili edhe pse garoi si i pavarur gëzoi mbështetje të dyfishtë nga koalicioni VLEN dhe VMRO-DPMNE-ja.

Kjo u pa farë mirë nga rrethi i parë i votimeve ku Qyra mori 9,934 vota kundrejt Arsim Dalipit të AKI-së që mori 9.719 vota.

Por, koalicioni VLEN siguroi vetëm 4,059 vota për Këshillin Komunal, ndërkaq VMRO-DPMNE-ja 5,749 sosh.

Ky kaleidoskop zhvillimesh flet se konstituenca maqedone përbën lëndën kryesore të votave të Qyrës.

Shembulli 2: Bërvenica

Edhe më e dhimbshme ishte gara për komunën e Bërvenicës ku fillimisht VLEN-i nxori si kandidat të vetin, Haqim Ramadanin përballë Jovica Ilievskit të VMRO-DPMNE-së.

Ai u bë rasti i parë që përjetoi arrogancën e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili e kërcënoi se do ta shkarkonte nga pozita e drejtorit të Inspektoriatit të Vetëqeverisjes Lokale.

Si sebep për këtë egërsi shërbyen veprimet e Ramadanit – duke u bashkuar edhe me AKI-në, ai u bëri thirrje votuesve shqiptarë, përfshirë edhe atyre nga diaspora, që të bëheshin bashkë për ta mposhtur kandidatin maqedon.

Sidoqoftë, VLEN-i nuk e mbrojti kandidatin e vet duke e lënë fare të vetmuar përballë sulmeve nga partia maqedone në pushtet.

Kësisoj, në komunën e Bërvenicës, e cila është me shumicë shqiptare, doli fitues kandidati i VMRO-DPMNE-së, Jovica Ilievski me 4,374 vota kundrejt Ramadanit që mori 4,224 vota – pra, 150 vota e kaluan Bërvenicën shqiptare në duart maqedone.

Shembulli 3: Kërçova

Po kështu, Mickoski dhe partia e tij u përqëndruan me të gjitha forcat në komunën e Kërçovës, aty ku balotazhi është tradicionalisht përballje etnike.

Pas 12 vitesh qeverisje shqiptare, në Kërçovë doli fitues kandidati i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Jovanovski me 14,228 vota përballë Fatmir Deharit të AKI-së që mori 12,208 vota.

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 ku kishte marrë 10,812 vota, rritja e kandidatit maqedon doli 30 për qind.

Kjo rritje nuk mund të shpjegohet ndryshe pos zhvendosje e së paku nja dy mijë votave të VLEN-it – le të kujtohet këtu që kandidati i këtij koalicioni, Fatmir Limani, në rrethin e parë të votimeve mori 4,164 vota.

Shembulli 4: Buteli

Në këto zgjedhje, shqiptarëve u iku nga duart rasti i artë që të merrnin pushtetin në komunën e dytë urbane në Shkup, në Butel – të dhënat e sivjetme të Komisionit Shtetëror Zgjedhor zbuluan se aty shqiptarët përbënin 50,32 për qind të elektoratit.

Sado që Aleanca Kombëtare për Integrim doli me kandidatin, Isamedin Azizi, në këtë komunë doli fitues Darko Kostovski i VMRO-DPMNE-së.

Edhe këtu del që fitorja shqiptare u pamundësua nga fakti që VLEN-i, nga frika e VMRO-DPMNE-së, nuk guxoi të mobilizonte votuesit shqiptarë.

‘Bashkëpunimi’ ndërshtetëror

Mesazhi përhajrues i Kurtit u përmbyll me një të pavërtetë brutale. Kështu, ai deklaroi se Kosova e Maqedonia e Veriut kanë hovizuar bashkëpunimin e ndërsjellë, dhe se shteti fqinj po e hap perspektivën evropiane.

Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, ka sjellur një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, ka shkruar Kurti.

Në të vërtetë, VV-ja më së shumti i kishte ndezur motorët e propagandës së saj për rrugën Prizren-Tetovë në gjatësi 40 kilometra dhe një tunel prej 6.4 kilometrash.

Por, kjo rrugë nuk duket se është në mesin e prioriteteve për kryeministrin Mickoski.

Kjo kuptohet nga fakti se pala maqedone nuk ka ndërmarrë veprime konkrete në terren.

Kjo ishte bërë e ditur nga ish-zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore në Maqedoninë e Veriut, Nazim Taipi.

Sipas tij, punimet për projektin në fjalë janë në pikën zero dhe se zor që do të bëhet realitet ky projekt për katër vitet e ardhshme.

Kurti e quan demokraci Maqedoninë, Brukseli alarmon për rrëshqitje drejt ‘botës serbe’

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian nuk duket aspak i kënaqur me zhvillimet e brendshme në Maqedoninë e Veriut.

Dacka e parë që iu dha sivjet Mickoskit ishte kur në korrik u miratua raporti i Parlamentit Evropian i përgatitur nga eurodeputeti, Thomas Weitz.

Aty u ngrit shqetësimi se Maqedonia e Veriut po rrëshqet dalëngadalë drejt projektit të ‘botës serbe’, por edhe po u bën vend ndikimeve ruse e kineze. /Nacionale/

Lajme të ngjashme