‘Të dhjerë, por krenarë’: Dorëzimi i VRED-anave përballë serbofilisë së Mickoskit - NACIONALE

‘Të dhjerë, por krenarë’: Dorëzimi i VRED-anave përballë serbofilisë së Mickoskit

2 orë më parë

nga Col Mehmeti

Maqedonia e Veriut ngadalë por sigurt po bëhet aneks i ‘botës serbe’. Ky proces fare nuk ka të bëjë me ndryshim kufijsh, por ka formën e narrativave të reja që po krijojnë perceptime gjithnjë e më të volitshme për Serbinë. Përkujtimi i përvjetorëve të betejave famëkeqe të Kumanovës, Kajmakçalanit dhe Bregalnicës po e ngre në qiell trashëgiminë pushtuese të Serbisë gjatë luftrave ballkanike. Komemoracione të tilla duket sikur janë përgjigjja tacite e VMRO-DPMNE-së së jashtmi kundër Bullgarisë, e së brendshmi kundër shqiptarëve. Anketimet e brendshme vënë në pah se Serbia bën për vete pjesën më të madhe të maqedonasve, kurse Shqipëria e Bullgaria vihen në krye të listës si ‘vende armike’. Përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri nga VLEN/VRED janë thjesht të pafuqi përballë këtij kursi që po kritikohet rreptazi nga Parlamenti Evropian.

13 korrik 2026 – Vërejtjet e vjetme të raportit të Parlamentit Evropian nuk ia kanë lënë shenjë qeverisë së Mickoskit.

Pavarësisht se eurodeputetët në Strasbourg kanë alarmuar me shqetësim për ‘botën serbe’, partia në pushtet po i jep hapësirë maksimale aktiviteteve e ngjarjeve përkujtimore që e paraqesin Serbinë me një dritë pozitive.

I tillë ishte edhe përkujtimi i sivjetmë i 113-vjetorit të Betejës së Bregalnicës kur ushtria serbe për nëntë ditë e shpartalloi keq ushtrinë bullgare.

Ky shënim u organizua nga pjesëtarë të së ashtuquajturës Shoqatë për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Përmendoreve Serbe në Maqedoninë e Veriut.

Si homazh për ‘heronjtë’ e rënë në këtë betejë, në shënimet përkujtimore të mbajtura në Shtip, Veles dhe Makedonska Kamenica u përcoll mesazhi se beteja e Bregalnicës qe ajo që krijoi kufijtë e sotëm të Maqedonisë së Veriut.

Të gjitha këto shënime u bënë nën hijen e të ashtuquajturit Komitet për Ruajtjen e Traditës së Luftrave Çlirimtare në Qeverinë e Serbisë, ambasadës së Serbisë në Shkup si dhe pushteteve lokale.

Anipse nuk u shfaqën drejtpëdrejtë zyrtarë të Qeverisë së Mickoskit, të pranishëm në këto përkujtime ishin edhe dinjitarë të Kishës Ortodokse Maqedone.

Shënimi i ‘bitka’-ve, mes revizionimit të historisë dhe Serbisë së Madhe

Duke qenë se ushtria serbe më 1912 hyri si pushtuese në Maqedoni, shënimi i ngjarjeve të tilla vlerësohet nga zëra kritikë si krijim i një perceptimi të ri që fsheh nën rrogoz krimet e kryera ndaj popullatës civile shqiptare e bullgare.

Në frymën e këtij projekti narrativëndryshues vjet u shënuan edhe dy data fort problematike.

12 shtator 2025 u shënua 109-vjetori i Betejës së Kajmakçalanit, kurse një muaj më vonë, më 24 tetor, edhe 113-vjetori i Betejës namkeqe të Kumanovës.

Kjo e fundit kaloi me pjesëmarrjen e një delegacioni nga Qeveria e Serbisë, ashtu sikurse edhe me praninë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie mes Bashkësive, Ivan Stoilkoviq.

Në këtë shënim ku u glorifikuan të bëmat e ushtrisë serbe ishin të pranishëm edhe ambasadori rus në Shkup, Sergey Bazdnikin, përfaqësues nga ambasada kineze, ashtu sikurse edhe shoqata serbe si dhe klerikë të caktuar.

Nga Parlamenti Evropian te Komisioni Evropian: “Bota serbe po zë vend”

Këto përkujtime kundërthënëse ngjanë vetëm pak muaj pasi eurodeputetët në Parlamentin Evropian miratuan raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut.

Kështu, rezoluta, e përgatitur nga eurodeputeti austriak Thomas Weitz, shigjetoi vërejtje tejet serioze ndaj qeverisë së Mickoskit.

Një nga shqetësimet kryesore që zuri vend në raport ishte edhe ai për ‘botën serbe’, për të cilën u tha se po e vë në pikëpyetje sovranitetin dhe stabilitetin e shteteve fqinje.

Në pikën 80 shprehej “shqetësim për projektin e së ashtuquajturës ‘botë serbe’ dhe që disa përfaqësues në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kanë avokuar dhe promovuar këtë koncept”.

Me këtë rast, Parlamenti Evropian kishte dënuar pjesëmarrjen e zyrtarëve të Qeverisë në Shkup në takime që kishin qëllim themelimin e sferave të ndikimit që prekin sovranitetin e shteteve të tjera dhe stabilitetin e rajonit.

Lexo edhe: Raporti i Parlamentit Evropian: ‘Bota serbe’ po përkrahet në Maqedoni

Por, këto vërejtje nuk është se patën ndonjë pasojë sepse Maqedonia e Veriut e vijoi edhe më fort kursin e afrimit me Serbinë.

Kështu e vlerësoi edhe Komisioni Evropian në raportin që u dritësua në nëntor të vitit të kaluar.

Te pjesa që i kushtohej marrëdhënieve me Serbinë, ky institucion vuri në dukje, mes të tjerash, edhe vizitën e fundit të kryeministrit Mickoski në Beograd.

Ky thellim marrëdhëniesh të ndërsjella, sipas Komisionit Evropian, u manifestua edhe me rastin e nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit me Serbinë në fushën e energjisë, gazit dhe reformave në administratën publike.

Po kështu, siç u nënvizua në raport, “Serbia hapi një konsullatë nderi në Kumanovë. Filloi edhe sistemi i kontrollit kufitar me një ndalim në pikëkalimin Tabanoc-Preshevë”.

Një mikrokozmos serbofilie

Në të vërtetë, i gjithë mikrokozmosi i jetës në Maqedoninë e Veriut i ngjan prirjeve për t’u afruar e lidhur më shumë me Serbinë.

Kjo u vërejt edhe sivjet, në prill, kur u mbajt edicioni i 38-të i Panairit të Librit në Shkup.

Ajo çfarë ra në sy ishte se hisen kryesore e patën shtëpitë botuese nga Serbia, diçka që i përgjigjet penetrimit kulturor serb në këtë shtet.

Mbiprania e Serbisë në Maqedoni të Veriut shënoi një kapitull të ri më 2024 kur u rikthye në pushtet VMRO-DPMNE, e cila, pos partnerëve shqiptarë, e mori në koalicion edhe Partinë Demokratike Serbe në Maqedoni.

Kreun e saj, Ivan Stoilković, e emëroi në funksionin e rëndësishëm të zëvendëskryeministrit dhe ministrit për marrëdhënie mes bashkësive.

Se tani e tutje do të ndiqej një avaz i ri i pozicionimit gjeostrategjik u bë e qartë nga një prej shfaqjeve më domethënëse të Qeverisë së Mickoskit.

Vjet më 27 janar, me rastin e shënimit të së ashtuquajturës Ditë e Shën Savës, në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë pati zënë vend një ngjarje në kufijtë e skandalit.

Në një ceremoni solemne, ku ishte i pranishëm vetë Mickoski, hija e zezë e mbuloi vendin kur mysafir nderi qe dora vetë Millorad Dodiku, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës.

Midis Shkupi, ai shpërhapi thirrje antiperëndimore duke kërkuar një bosht afrimi me Rusinë e Kinën.


Lexo edhe: Serbia e mban në pëllëmbë dore Maqedoninë

Propaganda antiperëndimore nga Serbia, Rusia e Kina

Siç është theksuar edhe në rezolutën e eurodeputetëve, propaganda antiperëndimore në Maqedoni të Veriut, që vjen nga Rusia e Kina, shpërndahet e konsumohet kryesisht në serbisht.

Jo rrallëherë është zëruar edhe shqetësimi se “maqedonasit konsumojnë gjithçka vjen nga Serbia, shpesh në mënyrë jokritike”.

Se këto ndikime tashmë kanë bërë për vete një pjesë të opinionit maqedonas, kjo vihet në pah edhe nga sondazhe të freskëta.

Një i tillë i bërë nga agjencia Indago, që u krye nga 6 deri në 17 tetor të vitit të kaluar, nxori sheshazi sentimentin proserb të një pjese të madhe të shoqërisë maqedonase.

Kjo u vërejt nga fakti që 45 për qind e respodentëve e identifikuan Bullgarinë si armikun më të madh të Maqedonisë së Veriut, pasuar nga Greqia me 15 për qind dhe Shqipëria me 7 për qind.

Prirjet e larta drejt serbofilisë u dritësuan nga fakti që një pjesë e madhe e respodentëve (40 për qind) e cilësuan Serbinë si miken më të madhe të Maqedonisë së Veriut.

Pjesa më e madhe e zërave kritikë saj rrëshqitjes në sferën serbe shpjegojnë se ky flirt me Beogradin nisi qysh në kohë të ish-Jugosllavisë

Sipas gazetarit Zoran Bojarovski, dashuria e maqedonasve karshi Serbisë, ashtu sikurse edhe rezistenca e tyre ndaj Bullgarisë, ka shpjegim nga disa arsye.

Kjo marrëdhënie, sipas tij, është e ndërliqshme dhe ka anën e vet ‘emocionale’.

Gjatë afër pesë dekadave gjatë të cilave maqedonasit e serbët jetuan nën një shtet të përbashkët, ku ‘ngjitësi’ kryesor ishte vëllazërimi e bashkimi, u krijua një ndjesi afërsie e besimi.

Matriksi ideologjik i atij shteti, kur bëhet fjalë për Maqedoninë, krijoi një mjedis të mosbesimit të skajshëm kundrejt pjesës tjetër të fqinjëve tanë, veçmas ndaj Bullgarisë dhe Shqipërisë, dhe shfaqte pak konsideratë edhe ndaj Greqisë”, vlerësonte Bojarovski.

Serbia me ndikim të plotë në Maqedoni

Prania gjithnjë e më e dukshme e Serbisë në Maqedoninë e Veriut, dhe përkrahja e saj për qeverinë e drejtuar nga VMRO-DPMNE, është pasqyruar edhe në mediat bullgare.

Në vjeshtën e 2024-s, agjencia bullgare e lajmeve BGNES paralajmëronte se Serbia e Vuçiqit i ishte bashkuar një fushate të fortë antibullgare të nismuar nga qeveria e kryeministrit, Hristjan Mickoski.

Vetë presidenti autokrat serb nuk ishte kursyer nga goditjet në kurriz të Bullgarisë.

Sipas tij, bullgarët janë të pezmatuar për shkak se Serbia është më e pëlqyer në Maqedoninë e Veriut.

Marrëdhëniet me Malin e Zi janë diç më mirë sesa që ishin më parë, me Hungarinë dhe Maqedoninë e Veriut janë më të mirat në histori, kurse bullgarët janë të pezmatuar se ne jemi më të pëlqyer sesa ata në Maqedoninë e Veriut”, kishte thënë Vuçiq në nëntor të vitit 2023 për TV Pink.

Serbia ishte vënë në mbështetje të Maqedonisë së Veriut kur Sofja zyrtare kishte vënë veto në negociatat për anëtarësim në BE.

Në një bisedë për mediumin bullgar ‘Fakti’, analisti bullgar Vladimir Vladimirov vlerësonte se Bullgaria tashpërtash nuk gëzon kurrfarë ndikimi në Maqedoninë e Veriut.

Serbia ka një ndikim të madh në vend”, kishte thënë ai duke veçuar se ky ndikim është edhe në nivelin social, politik dhe ekonomik.

Partia fituese në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE, është mjaft proserbe dhe proruse në orientimin e saj”, kishte thënë Vladimirov. /Nacionale/

Lajme të ngjashme