Të bashkuar përballë Serbisë: Pozitë e opozitë kërkojnë hetim ndërkombëtar për sulmin terrorist në Banjskë - NACIONALE

Të bashkuar përballë Serbisë: Pozitë e opozitë kërkojnë hetim ndërkombëtar për sulmin terrorist në Banjskë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Si rrallëherë pozita dhe opozita janë bashkuar duke përçuar mesazhe unifikuese nga Kuvendi i Kosovës.

Me ashpërsinë më të madhe partitë parlamentare kanë dënuar sulmin terrorist të Serbisë mbi Policinë e Kosovës në Basnjkë të Zveçanit. Deputetët e të gjitha partive sot kanë votuar pro rezolutës e cila kërkon hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë për mbështetjen e sulmit të së dielës që ka lënë të vrarë policin Afrim Bunjaku dhe të plagosur Alban Rashiti.

Ata kanë kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin e këtij sulmi terrorist.

Kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike; Konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”, thuhet në tekstin e rezolutës, e cila është miratuar me 97 vota në seancën e sotme të Kuvendit.

Opozita mbështet Qeverinë

Edhe në adresimit e tyre para deputetëve, liderët opozitarë iu kanë dhënë mbështetjen të gjitha institucioneve të Kosovës në përballjen me Serbinë.

Ata kanë kërkuar që suksesin e Policisë së Kosovës në terren, Qeveria e Kosovës ta kthej në fitore diplomatike për vendin.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk mund të flitet për betejat e brendshme politike kur është në pyetje Kosova.

E, Kosova, kolegë të nderuar, sot është nën sulm dhe ne, të gjithë, pa përjashtim, duhet të jemi në krye të detyrave dhe përgjegjësive tona. Mposhtja e grupit terroristë në Banjskë nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës – që është destabilizimi i skajshëm i saj”, ka thënë ai.

Sipas tij, është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd.

Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë. Objektivi ynë është të mbrojmë atdheun tonë dhe të garantojmë sigurinë e çdo qytetari kosovar – pa dallim feje apo etnie. Prandaj, në këtë periudhë, është thelbësore që të gjithë faktorët politikë, posaçërisht ata shqiptarë, të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të qëndrojnë së bashku në mbështetje të vendit tonë”, është shprehur Krasniqi.

Mesazhe unifikuese ka shprehur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Jemi në momentin tonë. LDK me te gjitha kapacitetet e saj, do të mbështesë gjithherë institucionet e Republikës në përballje të tilla”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se LDK-ja do ta mbështet Qeverinë çdo herë në përballje me Serbinë.

Sot na duhet mençuri. Atë që djemtë e vajzat tona e fituan në ditën e 24 shtatorit duhet ta fitojmë në politikë dhe diplomaci. Tani radhën e ka beteja politike dhe këtu ndërtohen kthesat e mëdha . Është përgjegjësinë e qeverisë dhe për këtë do ta këtë mbështetjen tonë që këtë situate ta përkthej në avancim të pozicionit tonë ndërkombëtar”, ka thënë Abdixhiku.

I vetmi lider opozitarë që e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti ka qenë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ndonëse deputetët e partisë se tij e kanë mbështetur votimin e rezolutës, ai ka thënë se qasje e Kurtit në dialogun me Serbinë ka qenë e gabueshme.

Iu kam kërku mbështetnu, bazohuni te Uashingtoni për marrëveshje, merruni vesh me Uashingtonin për marrëveshjen për Serbinë për njohje. Kurti, pra kryeministri jonë, e ka zgjedhur të kundërtën, ka zgjedhë Borrellin dhe Lajçakun, i ka ikë Uashingtonin, i ka prishur marrëdhëniet dhe besimin me ta.”, është shprehur ai.

Pyetne veten pak nëse kish ndodhë kështu nëse do të kishte vepruar në kohë ashtu. Tani Kurti fajëson Borrellin dhe Lajçakun që vet i ka zgjedh, nuk e ka zgjedh Uashingtonin, por ka zgjedhur Borrellin dhe Lajçakun dhe i fajëson ata. Ju lutem, mashtrimi nuk kalon, jemi mashtru që dy vite, jemi mashtru në Kosovë nga mashtruesi”, ka thënë Haradinaj.

Kurti falënderon deputetët për mesazhet dënuese ndaj Serbisë

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Serbia të dënohet për mbështetjen e grupit kriminal që të dielën ka sulmuar Kosovën.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij se nëse Serbia nuk ndëshkohet, krimi do të përsëritet sërish.

Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndeshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar, atëhrë do ta përsëris krimin.”, është shprehur Kurti.

I pari i Qeverisë ka falenderuar edhe deputetët e vendit për sjelljen unifikuese.

“Ju falenderoj edhe juve deputetë të nderuar, për kontributin tuaj duke qëndruar pranë qytetarëve, me qëndrime të qarta dënuese ndaj Serbisë, në këto momente të vështira, por të rëndësishme për Republikën tonë.”, është shprehur Kurti.

Një akt terrorist ka ndodhur në orët e para të se dielës në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit. Një formacion paraushtarak prej 30 personave të armatosur rëndë kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjska ku është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.

Kurse, autoritetet e Kosovës kanë njoftuan vdekjen e tre terroristëve të dielën.

Lajme të ngjashme