Tate: Nuk ka dëshmi kundër meje, në Rumani s’ka drejtësi - NACIONALE

Tate: Nuk ka dëshmi kundër meje, në Rumani s’ka drejtësi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-kikboksieri dhe personaliteti përçarës në internet, Andrew Tate, tha të mërkurën se në Rumani nuk ka drejtësi dhe se dosja e rastit kundër tij në një hetim kriminal nën akuzën për trafikim të njerëzve e dhunim seksual është boshe.

Tate, vëllai i tij, i quajtur Tristian, dhe dy të dyshuara rumune janë duke u mbajtur në ndalim policor nga 29 dhjetori në pritje të hetimit nën akuzën për themelimin e një bande kriminale për shfrytëzim seksual të grave. Të dyshuarit i kanë mohuar akuzat.

Të enjten, një gjykatë rumune ua zgjati masën e paraburgimit të ndaluarve deri më 27 shkurt. Prokurorët kanë thënë se vëllezërit Tate i kanë rekrutuar viktimat e tyre duke i joshur dhe duke pretenduar në mënyrë të rreme se dëshironin lidhje ose martesë me to, raporton agjencia “Reuters”.

Sipas prokurorëve, viktimat pastaj janë dërguar në disa prona në periferi të kryeqytetit rumun, Bukuresht, dhe janë shfrytëzuar seksualisht përmes dhunës fizike e frikësimit mendor, duke u detyruar që të prodhonin përmbajtje pornografike për faqe të rrjeteve sociale që kanë siguruar fitim të madh financiar.

Prokurorët pretendojnë se Andre Tate, që dikur ishte kikboksier profesionist dhe i cili ka shtetësi amerikane e britanike, e ka dhunuar seksualisht njërën nga viktimat në marsin e vitit të kaluar. Ai e ka mohuar këtë akuzë.

“Ata e dinë se nuk kemi bërë asgjë të gabuar. Kjo dosje është tërësisht boshe. Natyrisht se është e padrejtë, në Rumani nuk ka drejtësi, fatkeqësisht”- tha Tate para gazetarëve, kur u soll për t’u marrë më tej në pyetje nga prokurorët kundër krimit të organizuar, në komentet e para për medie që nga koha e arrestimit.

Kur u pyet se a ka lënduar gra, Tate u përgjigj: “Natyrisht se jo.”

Këtë muaj, autoritetet rumune thanë se kanë konfiskuar mallra dhe të holla me vlerë të 18 milionë leive (rreth 4 milionë dollarë), përfshirë vetura luksoze dhe prona si pjesë e hetimit.

“Nuk ka dëshmi kundër meje. Autoritetet janë duke planifikuar që t’i vjedhin veturat e mia dhe të hollat e mia. Për këtë arsye jam në burg”- tha Tate para gazetarëve.

Megjithatë, prokurorët kanë thënë se pasuria është konfiskuar që të parandalohen shitja ose fshehja e saj.

Lajme të ngjashme