Arrestohet në Rumani influenceri Andrew Tate, dyshohet për dhunim e trafikim të njerëzve - NACIONALE

Arrestohet në Rumani influenceri Andrew Tate, dyshohet për dhunim e trafikim të njerëzve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Influenceri kontrovers, Andrew Tate, raportohet se është ndaluar në Rumani si pjesë e një hetimi për trafikim me njerëz dhe dhunim seksual.

Bashkë me të, autoritetet rumune e kanë arrestuar edhe vëllanë e tij, të quajtur Tristan, ndërsa shtëpia e Tate-s në kryeqytetin rumun, Bukuresht, është bastisur, raporton BBC-ja, përcjell “Nacionale”.

Ish-kikboksieri ishte bërë i famshëm në vitin 2016, kur ishte larguar nga emisioni “Big Brother” në Britani për shkak të pamjeve ku ai dukej sikur po sulmonte një grua.

Më pas, ai kishte marrë vëmendje të madhe në internet. Rrjeti “Twitter” e kishte bllokuar llogarinë e tij, pasi Tate kishte thënë se gratë duhet të bartin përgjegjësi për rastet kur sulmohen seksualisht. Sidoqoftë, llogaria e tij është kthyer përsëri në internet.

“Katër të dyshuarit... duket të kenë krijuar dhe organizuar një grup krimi me qëllim të rekrutimit, strehimit dhe shfrytëzimit të grave, duke i detyruar ato që të krijojnë përmbajtje pornografike që do të shihej në uebfaqe të specializuara me pagesë”- thanë prokurorët.

Vëllezërit kanë qenë nën hetime nga prilli, bashkë me dy shtetas rumunë.

Në pamjet e publikuara në rrjete sociale duket se Tate dhe vëllai i tij po largoheshin nga një vilë luksoze.

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Rumani lëshoi një deklaratë, por nuk ua përmendi emrat dy vëllezërve, duke deklaruar se dy shtetas britanikë dhe dy rumunë dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal të përqendruar në trafikimin e njerëzve.

Ky institucion publikoi një video të bastisjes, duke shfaqur armë, thika e të holla në një dhomë. Tate ishte vendosur në Rumani para pesë vjetëve.

Lajme të ngjashme