Tasholli i Marshit për Drejtësi: Konjufca më tha që merr pjesë në marsh, për fjalim më tha se 'duhet ta mendoj'
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kishte mbështetur publikisht Marshin për Drejtësi të organizuar nga ‘Liria ka emër’, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë.
Organizatori i këtij marshit, Ismail Tasholli ka deklaruar se ka pasur komunikim me Konjufcën, ku ka kërkuar nga ai që të mbajë një fjalim në marsh.
Sipas Tashollit, Konjufca ka thënë se do të marrë pjesë në marsh, mirëpo për fjalimin do të mendojë.
“Kam kontaktuar personalisht me Glauk Konjufcën, i kam thënë ‘zotëri faleminderit shumë për përkrahjen. A bën me marrë pjesë në rendin e parë me mua aty?’. Edhe një kërkesë tjetër. ‘A bën me fol ti në binë sepse do të ishte shumë e rëndësishme që qytetarët të marrin mesazh unifikimi edhe prej pozitës, edhe prej opozitës për një temë që nuk duhet të na ndajë’… Glauku më tha që me marrë pjesë do të marrë pjesë, për me mbajt fjalimin do ta mendojë.” - ka treguar Tasholli në RTV Dukagjini.
