“Tash çmimi bëhet edhe më i lartë kur librat blehen në librari, ata shtojnë fitimin e tyre”: Mehmetaj i quan “sharlatanë” qeveritarët
“Popullizëm me fëmijë” e ka quajtur gazetari, Lirim Mehmetaj, vendimin e Ministrisë së Arsimit që tashmë pagesat për librat e nxënësve t’u paguhen prindërve, duke hequr dorë nga sistemi i mirëetabluar dhe funksional i furnizimit me libra të shkollave dhe nxënësve që ka ekzistuar që nga viti 2008.
Përveç se ka ngritur një varg pyetjesh, Mehmetaj e sheh si të pakuptimë edhe në vetë kuptimin ekonomik, për çka thotë se tashmë prindërit këto libra do t’i blejnë nëpër librari, e që natyrshëm do të kushtojnë me shtrenjtë, duke qenë se librarët llogarisin edhe fitimin e tyre biznesorë.
“Tash çmimi bëhet akoma më i lartë, sepse përveç çmimit të librit të shtëpisë botuese, duhet të paguhet edhe fitimi diferencial i librashitësit, sepse ai i blen nga shtëpia botuese dhe shton pak në çmim për fitimin e tij”, ka shkruar Mehmetaj.
Reagimi i plotë i Mehmetajt:
Populizëm me fëmijë
Qeveria me siguri është zotu që e prodhon së paku një situatë skandaloze në ditë, sepse ndryshe thjesht s’ka kuptim.
Shihni çfarë kanë bërë.
E kanë shkatërruar një zinxhirë perfekt të funksionimit të shpërndarjes së librave falas për filloristë duke e zëvendësuar me një sistem tjetër të cilin akoma nuk po e dinë as vetë çfarë saktësisht është – kur kanë mbetur edhe pak ditë të fillojë procesi shkollor.
Deri më tani shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës. Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat. Për shkak se të paguara me shumicë, librat normalisht që kanë kushtuar më pak.
Tash, kanë vendosur që: prindërit të angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, të aplikojnë në e-Kosova (nëse kanë llogari fillimisht, nëse nuk kanë s’kanë si të aplikojnë) ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin nga Ministria në xhirollogaritë e tyre (nëse kanë xhirollogari) dhe më pas të dalin vetë e t’i blejnë.
Modeli i aplikimit nuk dihet akoma si do të jetë, meqë vetë ministrja tha se nuk e dinë as ata vetë.
Si do të sigurohet ministria se prindërit do t’i përdorin paratë për t’i blerë librat? As këtë akoma ministrja tha se nuk e di.
Ku skandali merr përmasa të një marrëzie është në arsyetimin e ministres se përse po ndodhë kështu.
Tha se për shkak të çmimit të shtëpive botuese nuk kanë arritur marrëveshje, meqë çmimi shumë i lartë.
E tash?
Tash çmimi bëhet akoma më i lartë, sepse përveç çmimit të librit të shtëpisë botuese, duhet të paguhet edhe fitimi diferencial i librashitësit, sepse ai i blen nga shtëpia botuese dhe shton pak në çmim për fitimin e tij.
Rrjedhimisht, këta kanë anuluar një proces për shkak se kushton, për ta zëvendësuar me një tjetër proces që kushton më shumë.
Përse po e bëjnë, a nuk e dinë ata që kjo s’ka kuptim?
E dinë.
Por, kjo është ideja populiste me synimin për të arritur përshtypje që ne nuk paguajmë shtëpitë botuese, por ia shpërndajmë paratë direkt popullit (paçka se edhe “populli” tek ato shtëpi botuese do të duhet t’i blejë librat).
Miq, me çka i merituam këta sharlatanë?