Takimi Zelensky – Putin askund: “Për mua ai është askush”, “ai moti s'është kundërshtar i Putinit”
Duket se një takim i mundshëm mes presidentëve të Ukrainës e Rusisë, Volodymyr Zelensky e Vladimir Putin, nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Kështu lihet të kuptohet nga disa fjalë që i thanë së fundi të dyja palët.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se nuk është i interesuar për ta takuar homologun rus për bisedime të paqes. Ai e dha këtë deklaratë në një intervistë për televizionin “Sky News”, të transmetuar të enjten.
Kur u pyet nëse lufta në Ukrainë mund të zgjidhet përmes bisedimeve të paqes me Putinit, Zelensky tha: “Nuk është interesante për mua. S’është interesante për t’u takuar, s’është interesante për të biseduar.”
“Pas një pushtimi të shkallës së plotë, për mua (Putini) është askush”- shtoi presidenti ukrainas, kur u pyet nëse është shumë vonë për bisedime të paqes.
Ai pretendoi se Rusia ka shumë më shumë pasoja në njerëz se Ukraina, duke shtuar se “në lindje, ata po humbin numër të madh të njerëzve, numër shumë të madh, por nuk mërziten. Ata nuk po i numërojnë njerëzit, ky është një fakt. Ne po i numërojmë njerëzit e tyre”.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten se Zelensky nuk mund të matet me homologun Vladimir Putin.
“Ne dimë se me çfarë premtimesh është zgjedhur Zelensky president, absolutisht që nuk është vështirë që t’ua kujtojmë vetë atyre dhe t’ua kujtojmë atyre votuesve që votuan për të në Ukrainë”- tha zëdhënësi rus.
“Ai nuk e zgjidhi problemin e Donbasit, nuk i përmbushi marrëveshjet e Minskut, për më tepër, siç u mor vesh, ai nuk do t’i përmbushte ato, po bëhej gati për luftë”- shtoi Peskovi.
“Prandaj, le ta themi kështu, ai vetë për një kohë të gjatë ka pushuar së qeni kundërshtar i mundshëm për Putinin”- tha më tej zëdhënësi i Kremlinit.

