Takimi me Vuçiqin – a do të shpëtojnë pa ‘therrë në këmbë’ eprorët serbë të policisë në veri? - NACIONALE

Takimi me Vuçiqin – a do të shpëtojnë pa ‘therrë në këmbë’ eprorët serbë të policisë në veri?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq i kushtoi me suspendim kryetares së gjykatës në Mitrovicë, Lilijana Stefanoviq. Megjithatë, standarde të njëjta nuk u aplikuan edhe për eprorët serbë të policisë në veri që në këtë takim ishin bashkë me Stefanoviqin. Ndaj tyre edhe pse kanë nisur hetime, deri më tash nuk është ndërmarrë asnjë masë. Të paktën, jo zyrtarisht.

Më 22 mars, pra muajin e kaluar, eprorët e Policisë së Kosovës në veri nga komuniteti serb nuk ishin në krye të detyrës. Ata kishin një detyrë që e vlerësuan me rëndësi më të madhe. Një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Synimi ishte që të dakordohen për hapat e radhës pasi Kosova nuk po lejonte mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Gazeta Nacionale kishte raportuar se krah për krah me të kërkuarin nga Kosova, Milan Radojiçiq ishin edhe eprorët më të lartë të policisë në veri. Ata që realisht, do të duhej ta arrestonin Radojiçiqin i cili dy herë ka arritur të arratiset nga Policia. Eprorët serbë të policisë që morën pjesë në takim me Vuçiqin ishin: shefi i hetimeve rajonale në Mitrovicën e Veriut, Nenad Simiq, komandanti i stacionit policor në Mitrovicën veriore, Goran Zivkoviq, Igor Vukadinoviq nga stacioni policor në Leposaviq, komandanti i stacionit policor në Zubin Potok, Zvezdan Milivojeviq.

Policia e Kosovës në një përgjigje për Nacionalen ka thënë se rastin e kanë adresuar në Inspektorat. “Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se, është përcjellë shkresa njoftuese për këtë çështje tek Inspektorati Policor i Kosovës, për procedurë të mëtutjeshme të veprimit!”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për këtë çështje.

IPK nis hetimet, por deri më tash s’ka asnjë masë

E ata tek të cilët Policia e Kosovës e adresoi këtë çështje, duket se kanë nisur hetime. Megjithatë, deri më tash asnjë masë disiplinore nuk është ndërmarrë. Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se kanë pasur kontakte edhe me prokurorin kompetent, dhe i kanë intervistuar edhe zyrtarët në fjalë. Por, shumë detaje kanë thënë se nuk mund të bëhen publike.

Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë. Në kuadër të autorizimeve ligjore hetuesit e IPK-së deri tani kanë ndërmarrë disa veprime hetimore si dhe kanë kontaktuar edhe me prokurorin kompetent , përderisa pritet që të ndërmarrin edhe veprime hetimore të tjera për të sqaruar të gjitha rrethanat në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente duke përfshirë edhe intervistimin e zyrtarëve në fjalë. Duke pasur parasysh integritetin e procesit hetimor në këtë fazë të hetimit nuk mund të shpalosen më shumë detaje”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Nacionalen.

Cilat do të duhej të ishin masat?

Fitim Shishani që e ka udhëhequr për disa vite Inspektoratin Policor të Kosovës, thotë se pjesëmarrja e policëve serbë në takim me presidentin e Serbisë, do të duhej të ishte alarm për Policinë e Kosovës. Sipas tij, suspendimi i menjëhershëm është vetëm masa e parë që parashikohet në raste të ngjashme.

Për sa unë e njoh punën e policisë, në çdo vend tjetër, kjo do të duhej të ishte edhe një formë tipike e korrupsionit policor, që i karakterizon këta pjesëtarë të policisë, që kanë marrë pjesë në atë takim. Unë deklarohem kështu sepse, shpërndarja e paautorizuar e informacionit policor të besueshëm ose të klasifikuar qoftë për shpërblim apo çfarëdo arsye tjetër është formë e korrupsionit policor. Të gjithë mund të imagjinojmë se pjesëmarrja e tyre në atë takim ka mundur të shoqërohet edhe me dhënien e informacioneve me vlerë”, ka thënë Shishani për Nacionalen.

Sipas tij, takimet e tilla cenojnë edhe sigurinë në vend. “Kjo paraqet një problem për sigurinë tonë nacionale, nuk është një gjë normale, një rutinë, një seminar apo një trajnim. Çdo institucion i sigurisë duhet ta dijë se, lojërat e këtilla të pjesëtarëve të tyre sjellin pasoja afatgjate për vendin tonë. Këto pasoja nuk reflektohën menjëhërë, por efekti tyre shihet në momentet kur institucionet dëshirojnë te vendosin rend e ligj në veri dhe kudo në Kosovë”, theksoi Fitim Shishani.

Çfarë tha drejtori i Policisë?

Gjatë raportimit në Komisionin për Siguri të Kuvendit të Kosoës, drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti është pyetur për këtë çështje nga ish-drejtori, Rashit Qalaj.

“Kemi pas eprorë të Policisë së Kosovës që kanë marr pjesë në takim në veri, e dimë që i keni çu në IPK, por pasi drejtori e ka mandatin me i suspendu pastaj me i çu në IPK, mendoj që është dashtë me i suspendu, pastaj me i dërgu për trajtim rastet e tyre”, kishte thënë Qalaj.

Për eprorët e policisë në veri që kanë marr pjesë në takim me Vuçiqin, ne e kemi vlerësu se ata duhet të hetohen pastaj të marrim masa. Ndoshta kish mujt me qenë edhe varianti i juaj, por ne e kemi vlerësu që me i qu në IPK fillimisht”, ishte shprehur Mehmeti.

Kërcënimi i Vuçiqit

Pas suspendimit të kryetares së gjykatës në Mitrovicë, Lilijana Stefanoviq, presidenti serb, Vuçiq kishte dalur me një reagim të ashpër. Ai kishte thënë se ka informacione që do të suspendon edhe zyrtarët policorë, dhe kërcënoi se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.

A pati ndikim kërcënimi i Vuçiqit për marrjen e masave ndaj këtyre policëve? Kjo nuk dihet. Mirëpo vetë presidenti serb mori lavdata.

Vuçiq ditë më pas kishte deklaruar se ‘plani i djeshëm i shtetit të rremë të Kosovës për shkarkimin e komandantëve serbë, policëve që ishin në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd, nuk u realizua për shkak të presionit të shteteve të Kuintit. Vendet e Quintes e dinin se serbët do të largoheshin nga "institucionet" nëse kjo do të ndodhte’.

Ky takim me presidentin e Serbisë, nxiti reagime të ashpra në Kosovë, pasi skaj Vuçiqit ishte edhe i kërkuari nga Prokuroria në Kosovë, Milan Radojiçiq, që është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajme të ngjashme