Takimi i tretë Kurti-Vuçiq: Temat që mund të diskutohen sot në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Alaksandar Vuçiq do takohen sot në Bruksel, pas më shumë se një viti pa takime, Kurti e Vuçiq rikthehen në tavolinën e bisedimeve mes tensioneve të larta.
Shefi për Siguri dhe Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian [BE], Josep Borrell dhe i dërguarit i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, presin në tavolinë Kurtin dhe Vuçiqin.

Sipas njoftimit të BE-së, takimi do të fillojë në ora 10:30 dhe në fokus do të ketë arritjen e një marrëveshje gjithëpëfshirëse për normalizimin e marrdhënieve.
“Të enjten, më 18 gusht, do të mbahet takimi i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel. Me në krye Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell, dialogu do të mbështetet nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajčák me pjesëmarrës presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Takimi do të fillojë në orën 10:30 dhe do të ketë në fokus përparimin në Dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit. Gjithashtu në takim do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensionit aktual në terren”, thuhej në njoftimin e BE-së.
Dy tema të rëndësishme
Ndërkaq, se mund të ketë një marrëveshje, ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosoëvs, Albin Kurti.
Kurti të mërkurën, zhvilloi një takim me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe me të dërguarin e Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kurti pas takimit ka thënë janë dy tema të rëndësishme që mund të nënshkruhen sot.
"Mirë shkoi takimi, ishte veçse takim përgatitor, për atë se çfarë do të zhvillohet nesër. E janë dy tema të rëndësishme: E para është elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, me njohje reciproke dhe tjetra është çështjet aktuale", ka thënë fillimisht kreu i ekzekutivit.
Tutje ai foli edhe për çështjen e reciprocitetit, duke thënë se është vendim i drejtë.
Gjithashtu, Kurti mohoi se do të ketë shtyerje tjetër të këtij vendimi, duke potencuar faktin se mund të ketë anulim, nëse këtë do ta bëjë edhe Serbia.
"Nuk do të ketë shtyrje tjetër. Po, ne mund t'i heqim këto dokumente, nëse i heqin edhe serbët", ka thënë Kurti para mediave.
Asociacioni duhet të themelohet
Ndërsa, emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar në pyetjet e gazetarëve, ai u përgjigj se Asociacioni duhet të themelohet dhe se i njëjti duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
Në anën tjetër, kur u pyet rreth asaj nëse edhe evropianët mendojnë kështu, përfaqësuesi amerikan e pohoi një gjë të tillë.

"Po, po edhe ata janë të atij mendimi. Pra, Asociacioni duhet të jetë sipas ligjeve të Kosovës", ka thënë ndër të tjerash ai para gazetarëve.
Tutje, shtoi se pret që takimi i sotëm të ketë një epilog që do ta ruajë stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
“Ardhmëria e të dy shteteve është në Europë. Jemi duke punuar në një zgjidhje që çon në stabilitet në rajon”, përfundoi Escobar.
Edhe Lajçak shkroi pas takimit përgaditor duke mos dhënë detaje se çka u bisedua mes tyre.
“Në prag të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel, pata takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, për t’u përgatitur për diskutimet e nesërme”, ka shkruar Lajçak në Tëitter.
Në anë tjetër Vuçiq ka thënë se nesër do të ketë diskutime të vështira, pasi me Kurtin nuk pajtohet me asgjë.
“Thashë që paqja e stabiliteti janë të rëndësishme. Ne do të kemi bisedime të vështira nesër. Nuk pajtohemi në asgjë. Por, Serbia do të qëndrojë pas çdo marrëveshje të nënshkruar. Ne duam të shamngim cdo lloj mundësie të eskalimit dhe konfliktit. Kemi vepruar me përgjegjshmëri. Besojmë që nuk kemi bërë asnjë provokim”, theksoi Vuçiq në konferencë për media.
Ndërkohë, të mërkuren, Kurti u takua edhe me Sekretarin e NATO-së, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg ka deklaruar se në rast të rrezikimit të paqes dhe stabilitetit në Kosovë, misioni i KFOR-it është i gatshëm të ndërhyjë ushtarakisht.
Ky është takimi i tretë i Kurtit me Vuçiqin.