Takimi i radhës Kurti - Vuçiq do të mbahet në Maqedoninë e Veriut - NACIONALE

Takimi i radhës Kurti - Vuçiq do të mbahet në Maqedoninë e Veriut

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Takimi i radhës i kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq do të mbahet me 18 mars.

Vendtakimi ndërkaq do të jetë në Maqedoninë e Veriut.

Këtë e ka konfirmuar kreu serb në paraqitjen para gazetarëve, pak kohë pas përfundimit të takimit në Bruksel.

"Do të takohemi prapë me datën 18. Ka qenë një takim i vështirë. Kurti ka refuzuar të flasë për Asociacionin.", tha ndër tjerash Vuçiq.

Ka qenë interesant fakti se Vuçiq shtoi që është e rëndësishme se çfarë do të thotë Bashkimi Evropian.

"Deri tani po flasim për gjërat dhe situatën. Mendoj se është e rëndësishme dhe ajo që do të bëjë është njoftimi i Bashkimit Evropian. Nëse është kështu, është deklaratë e tyre. Sigurisht që do të flitet për domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme. Unë insistova në Bashkësinë e Komunave Serbe, kurse ai nuk ishte i gatshëm".

Takimi mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti ka rezultuar në pajtim për planin evropian, sipas Josep Borrell, shefi i lartë i politikës së jashtme për BE-në, i cili e bëri njoftimin sonte gjatë një konference për shtyp.

"Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që jo më shumë diskutime janë të nevojshme për propozimin evropian, i cili ka titullin normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë" - tha ai.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se plani, i njohur deri me tash si franko-gjerman apo evropian, emri zyrtar i tij është Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Pra, për të përmbledhur, propozimi evropian, emri zyrtar i të cilit është ‘Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës’ është pranuar dhe si e tillë do të publikohet në faqen zyrtare të BE-së.” - tha Borrell.

Shefi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e ka konsideruar takimin një zhvillim të madh bazuar në faktin se nga verën e kaluar ata ishin përfshirë vetëm në menaxhimin e krizave.

“Fokusi i takimit ka qenë që të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një zhvillim i madh sepse nga vera e kaluar jemi përfshirë në menaxhime krizash, me fokus vetëm në kriza, nga kriza në kriza, duke tentuar që t’i kontrollojmë krizat në terren. Ne tani po kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme. Ky propozim, i Bashkimit Evropian, është i miratuar nga Këshilli i Evropës dhe që nga atëherë ne jemi angazhuar në një diplomaci intensive.”- tha Borrell.

Lajme të ngjashme