Takimi i 8 mes Kurtit e Vuçiqit: Çka pritet të ndodhë? - NACIONALE

Takimi i 8 mes Kurtit e Vuçiqit: Çka pritet të ndodhë?

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë mbajtur shtatë takime në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve. Takime këto të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Mediat vendore kanë raportuar se takimi i tetë mes Kurtit dhe Vuçiqit mund të ndodhë më 2 maj 2023.

Megjithatë, Bashkimi Evropian nuk e ka konfirmuar një takim të mundshëm të nivelit të lartë në Bruksel, ndërmjet të dy liderëve, me zëdhënësen e BE-së për Punë të Jashtme, Nabila Massrali e cila ka thënë për Nacionalen se nuk mund të konfirmojnë asgjë aktualisht.

“Nuk mund të konfirmojmë asgjë aktualisht. Do ta bëjmë të ditur si gjithmonë, kur të jetë e përshtatshme.” – ka thënë ajo.

Për takimin që Kurti dhe Vuçiq mund ta kenë në muajin maj, ka folur edhe Ivica Daçiq, kryediplomati serb.

Në Televizionin Publik të Vojvodinës, Daçiq ka folur rreth Deklaratës për Personat e Pagjetur për të cilën thotë se do të miratohet në takimin e ardhshëm të Nivelit të Lartë, për të cilën thotë se do të ndodhë dikur në muajin maj.

Është edhe në interesin tonë më të mirë që kjo të zgjidhet”, tha ai.

Çfarë pritet të ndodhë në takimin e tetë Kurti-Vuçiq?

Kosova dhe Serbia janë takuar më 4 prill në Bruksel ku kanë arritur edhe një ujdi. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryengociatori i Serbisë, Petar Petkoviq kanë bërë me dije se janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë luftës.

Kosova kishte këmbëngulur vazhdimisht që në tekst të përmendet termi “të zhdukurit me dhunë”.

Palët pajtohen që të miratojnë Deklaratën për Persona të Zhdukur, sipas negocimit nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjence.” - thuhej në Aneksin e Implementimit për të cilin ishte pajtuar Kurti me Vuçiqin në Ohër.

Tash, miratimi pritet që të bëhet në takimin e nivelit të lartë, mes kryeministrit Kurti e presidentit Vuçiq, i cili pritet të mbahet në muajin maj.

Pak detaje nga marrëveshja

Bislimi në paraqitje të tij nuk kishte dhënë shumë detaje në paraqitjen e tij rreth marrëveshjes për të pagjeturit.

Te marrëveshja për të pagjeturit, ne veç kemi pasë një dakordim thuajse mbi 95 për qind, kur në fund të bisedimeve z.Kurti kishte pranuar të nënshkruante dokumentin. Kemi vërejt më pas tërheqjen e z.Vuçiq. Pastaj, ka ardhë një dokument i modifikuar nga z.Lajçak në shtator, dje mbi këtë dokument kemi diskutu.” – ka thënë ai.

Petkoviq ndërkaq, kishte pretenduar se me arritjen e marrëveshjes, në tekstin e Deklaratës për Personat e Zhdukur është hequr termi “zhdukje me forcë”.

“Përveç politizimit të dukshëm të kësaj teme tejet humane, është e kuptueshme edhe pakënaqësia e Prishtinës, e cila dështoi në planin e saj për të akuzuar Serbinë për të gjitha rastet e zhdukjeve në Kosovë dhe për t'ia atribuar Beogradit krimet e UÇK-së i cili ishte qëllimi i tyre që në fillim, të cilin e pamë dhe e penguam.” – ka thënë ai.

Lajme të ngjashme