Marrëveshja për të pagjeturit: Petkoviq thotë se hoqën termin kryesor, Bislimi i lë detajet për takimin Kurti-Vuçiq - NACIONALE

Marrëveshja për të pagjeturit: Petkoviq thotë se hoqën termin kryesor, Bislimi i lë detajet për takimin Kurti-Vuçiq

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të dy u takuan në Bruksel më katër prill, ku u konfirmua se kanë arritur një marrëveshje. Derisa kryenegociatori serb në dialog, Petar Petkoviq po deklaron se kanë hequr termin “me dhunë” nga marrëveshja për të zhdukurit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka folur shumë, duke i lënë detajet për takimin mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit Aleksandër Vuçiq. Çka deklaruan ata?

Qytetarët në Kosovë i kanë të pakta informacionet rreth asaj për të cilën konkretisht u dakorduan Bislimi e Petkoviq në takimin e fundit, me refuzimin e palës kosovare të japë shumë detaje.

Megjithatë, deri më tani janë ngritur shqetësime se pjesa kryesore e marrëveshjes “të zhdukur me dhunë”, ka mbetur vetëm në “të zhdukur”. Nga pala kosovare, nuk ka pasur ndonjë konfirmim ose demantim rreth kësaj çështje.

Bislimi i lë detaje për takimin Kurti-Vuçiq

Kryenegociatori i Kosovës në bisedime, Besnik Bislimi nuk ka dhënë shumë detaje as në një intervistë në “Kallxo” ku u paraqit mbrëmë.

“Te marrëveshja për të pagjeturit, ne veç kemi pasë një dakordim thuajse mbi 95 për qind, kur në fund të bisedimeve z.Kurti kishte pranuar të nënshkruante dokumentin. Kemi vërejt më pas tërheqjen e z.Vuçiq. Pastaj, ka ardhë një dokument i modifikuar nga z.Lajçak në shtator, dje mbi këtë document kemi diskutu.” – ka thënë ai.

Por Bislimi tha se nuk mund të publikojë diçka nga përmbajtja e dokumenteve, dhe se kjo do të bëhet e ditur në takimin e radhës të liderëve.

“Nuk është sekrete, publikohet në takimin e radhës të liderëve... Unë dhe z.Petkoviq dhe z.Lajçak kemi konsoliduar përmbajtjen e dokumenteve. Në fakt konsolidimin e mirëfilltë e ka bërë z.Hoti, që ka qenë me neve. Ne jemi kujdesur që të dakordohemi për konceptin e konsoliduar.” – deklaroi ai.

Kur do të mbahrt takimi i radhës? Kjo nuk dihet, megjithatë, zëvendëskryeministri bëri të ditur se janë diskutuar dy data,22 e 24 prill, por që kjo nuk u është përshtatur kryediplomatit Josep Borell dhe presidentit Vuçiq.

Petkoviq pretendon diçka tjetër

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq siç raportuan mediat serbe, ka deklaruar sot se në tekstin e Deklaratës për Personat e Zhdukurështë hequr termi “zhdukje me forcë”.

Petkoviq ka pretenduar se një gjë e tillë ka ndodhur “falë përpjekjeve të Beogradit”.

Petkoviq citohet të ketë thënë se në vend të atij termi, është miratuar termi “i zhdukur me forcë”, që nuk është kategori juridike dhe nuk gjendet në konventa ndërkombëtare, por vetëm përshkruan rrethanat në të cilat ka ndodhur zhdukja.

“Përveç politizimit të dukshëm të kësaj teme tejet humane, është e kuptueshme edhe pakënaqësia e Prishtinës, e cila dështoi në planin e saj për të akuzuar Serbinë për të gjitha rastet e zhdukjeve në Kosovë dhe për t'ia atribuar Beogradit krimet e UÇK-së i cili ishte qëllimi i tyre që në fillim, të cilin e pamë dhe e penguam.” – ka thënë ai.

Borell: Ka marrëveshje

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përmes një postimi në rrjetin social “Tëitter, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia të martën kanë arritur marrëveshje për personat e zhdukur.

Ai ka thënë se miratimi i këtij dakordimi do të ndodh në takimin e radhës në mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Marrëveshja që kryenegociatorët arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm është hapi i parë. Ne do ta miratojmë këtë marrëveshje në takimin e radhës në mes liderësh”- ka shkruar Borell.

Borell, po ashtu ka deklaruar se BE-ja, pret që të dy palët Kosova dhe Serbia, të respektojnë marrëveshjet dhe të shmangin çdo përshkallëzim.

Lajme të ngjashme