Sveçla me gjuhë tejet të rrezikshme, demonizon protestën e sotme në Prishtinë duke e lidhur me protestën në Beograd
Përmbajtjen skandaloze të përgjimeve ku Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, bisedon e koordinohet me Nënkryetarin famëkeq e të sanksonuar të Listës Serbe, Milan Radojiçiqi, për çështje tejet delikate si (mos)përfshirja e veteranëve të luftës së UÇK-së në Pagën Minimale dhe komentimet prej më të pahijshmeve të Kusarit me Sllavko Simiqn, nuk e merr as edhe një sekond të vetëm t’ komentojë, por e quan “luftë hibride” të Serbisë derisa krijon disa paralele të çuditshme e përtej çfarëdo referene faktike me realitetin. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka dalë me një reagim tejet problematik ku qëllimi përfundimtar i saj lexohet të jetë thirrje për të mos dalë në protestën e thirrur sot nga qytetarët e Kosovës në ora 18:00 në Prishtinë.
Veç kësaj, Sveçla, me një gjuhë tejet të rrezikshme, provon të shpik paralele mes protestës së sotme në Prishtinë dhe protestave tashmë disa mujore të opozitës në Beograd ku kërkohet dorëheqja e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Madje, krejtësisht në ajr dhe pa asnjë argumentim ai ia mëvesh thirrjen e protestës gazetarit të Nacionales, Berat Buzhalës dhe gazetarit të Paparacit, Vehbi Kajtazi; ndonëse protesta është thirrur nga organizatat e dala nga lufta të OVL UÇK-së.
Madje, sikur të mos i mjaftonte vec ky demonizim i pakënaqësisë qytetare, Sveçla e lidh secilin qytetar që ka përkrahur protestën, përkthyeshëm e bën secilin protestues si në favor të asaj që ai e quan "luftë hibride" të Aleksandar Vuçiqit.
Lexojini të plotë reagimin absolutisht demonizues të Sveçlës:
Lufta hibride në aksion
Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë.
Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave.
Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA.
Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar.
Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt.
I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit.
Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë.
Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë.
Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit.
Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.
Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë.
Protesta mbështet nga opozita dhe kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së
Një grup i qytetarëve kanë thirrur për sot një protestë ku do të kundërshtohet veprimi i Qeverisë për t`i larguar veteranët e UÇK-së nga ligji për pagën minimale.
Iniciativa për të protestuar edhe kundër aferës “Zdravo” të Qeverisë së Kosovës po merr mbështetej të fuqishme. Brenda një periudhe të shkurtër kohore ftesa për protestë është shpërndarë nëpër rrjete sociale nga shumë politikanë, analistë, gazetarë dhe njerëz me ndikim në shoqëri.
Deri me tani ajo është përkrahur edhe nga shumica e partive opozitare dhe kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka bërë me dije se do të dalë në protestë edhe për dajën e saj të vrarë me pushkë në dorë dhe për ushtarët e gjallë, të cilët po nëpërkëmbën nga Qeveria Kurti.
“Nesër do të dal në protestë. Për gjithë ato gra e burra që patën guxim ta mundin frikën dhe vdekjen. Për dajën tim të vrarë me pushkë në dorë. Për ushtarët e gjallë, por fatkeqësisht të fyer e të nëpërkembur”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.
Ftesën e protestës e ka përkrahur edhe ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradina.
“Në koordinim me veteranë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
Pro protestës janë shprehur edhe dy partitë opozitare jo parlamentare, Nisma dhe PSD-ja.
Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilal Sherfi, ka thënë për gazetën Nacionale kjo parti përkrah çdo protestë që është në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe kundër Qeverisë Kurti.
“Nisma Socialdemokrate në parim përkrah çdo protestë që është në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe kundër Qeverisë aktuale, e cila tashmë është dëshmuar që koordinohet me Milan Radojiçiqin”, ka thënë Shefi.
Protesta ka marrë mbështetje të madhe dhe nga veteranet e UÇK-së.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë me dije se organizatat e dala të lufta e UÇK-së do ta mbështesin protestën e paralajmëruar për nesër.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se këto organizata nesër do të marrin pjesë në protestë.
“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e mbështesin dhe do marrin pjesë në protestën e nesërme. Merrni pjesë edhe ju!”, ka shkruar Klinaku.
Gjithashtu protesta ka marrë përkrahej edhe nga një numër i madh i gazetareve dhe njerëzve me ndikim në vend.

