Kurti sërish konteston numrin e veteranëve të UÇK-së: Ka një trefishim të numrit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar kritikat për procesin e verifikimit të veteranëve të UÇK-së.
Ai ka deklaruar se ky numër është trefishuar, raporton EO.
I pyetur për përjashtimin e veteranëve nga Ligji për pagën minimale, ai ka thënë se ligji në fjalë rregullon pagën minimale e jo benefitet.
“Unë besoj që në luftën çlirimtare kanë marrë ma shumë se 60 mijë pjesëmarrës, mirëpo ka një lloj trefishimi të numrit të veteranëve, andaj është e domosdoshme që gjërat t’i quaj me emra adekuat”, ka thënë Kurti, duke shtuar se komandantët e UÇK-së japin tjera shifra.
“Veteranët sipas komandantëve të UÇK-së janë diku rreth 20 mijë, atëherë nëse i bashkëngjisim edhe pjesëmarrësit atëherë bëhen edhe me shumë se 60 mijë. Unë jam që të kemi falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë, por nuk mund ta dëmtojmë luftën çlirimtare”, ka thënë Kurti, pas hapi fushatën e korrje-shirjeve në komunën e Lipjanit.
Sipas tij, kategorizimi i saktë i kësaj kategorie është shumë me rëndësi.
"Bashkë mund ta zgjedhim këtë, nuk kemi nevojë ta deformojmë të vërtetët tonë, kategorizimi i saktë është shumë i rëndësishme, nuk mund t’i dëmtojmë veteranët duke i bërë edhe pjesëmarrësit pjesë të kësaj kategorie. Mbrojtja e luftës është e rëndësishme, edhe për hulumtuesit e brezat e ardhshëm në mënyrë që të kemi të dhëna të sakta”, është shprehur ai.
I pari i qeverisë ka thënë se është që veteranët të kenë benefite me të mëdha.
“Ligji i cili kalojë së fundi në Kuvendin e Kosovës e rregullon pagën minimale. Ne jemi për benefite sa më të larta për veteranët, por këto benfite nuk janë pagë sepse paga është për punë. Pra benfitet janë mirënjohje e shoqërisë që i jepen veteranit të luftës”, është shprehur Kurti.
Sot protestohet për këtë çështje
Një grup i qytetarëve kanë thirrur për sot një protestë ku do të kundërshtohet edhe veprimi i Qeverisë për t`i larguar veteranët e UÇK-së nga ligji për pagën minimale.
Iniciativa për të protestuar kundër aferës “Zdravo” të Qeverisë së Kosovës po merr mbështetej të fuqishme. Brenda një periudhe të shkurtër kohore ftesa për protestë është shpërndarë nëpër rrjete sociale nga shumë politikanë, analistë, gazetarë dhe njerëz me ndikim në shoqëri.
Deri me tani ajo është përkrahur edhe nga shumica e partive opozitare dhe kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka bërë me dije se do të dalë në protestë edhe për dajën e saj të vrarë me pushkë në dorë dhe për ushtarët e gjallë, të cilët po nëpërkëmbën nga Qeveria Kurti.
“Nesër do të dal në protestë. Për gjithë ato gra e burra që patën guxim ta mundin frikën dhe vdekjen. Për dajën tim të vrarë me pushkë në dorë. Për ushtarët e gjallë, por fatkeqësisht të fyer e të nëpërkembur”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.
Ftesën e protestës e ka përkrahur edhe ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradina.
“Në koordinim me veteranë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
Pro protestës janë shprehur edhe dy partitë opozitare jo parlamentare, Nisma dhe PSD-ja.
Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilal Sherfi, ka thënë për gazetën Nacionale kjo parti përkrah çdo protestë që është në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe kundër Qeverisë Kurti.
“Nisma Socialdemokrate në parim përkrah çdo protestë që është në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe kundër Qeverisë aktuale, e cila tashmë është dëshmuar që koordinohet me Milan Radojiçiqin”, ka thënë Shefi.
Protesta ka marrë mbështetje të madhe dhe nga veteranet e UÇK-së.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë me dije se organizatat e dala të lufta e UÇK-së do ta mbështesin protestën e paralajmëruar për nesër.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se këto organizata nesër do të marrin pjesë në protestë.
“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e mbështesin dhe do marrin pjesë në protestën e nesërme. Merrni pjesë edhe ju!”, ka shkruar Klinaku.
Gjithashtu protesta ka marrë përkrahej edhe nga një numër i madh i gazetareve dhe njerëzve me ndikim në vend.

