Sveçla jep detaje për veriun: 15 deri në 20 persona i rrahën dy shqiptarë, sot u arrestua “Rusi”
Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka publikuar një status në lidhje me dy ngjarje në veri. Së pari, Sveçla ka dhënë ca informacione shtesë për rrahjen e dy të rinjve shqiptarë në veri të Kosovës.
Ai ka shkruar se ata janë rrahur nga 15 deri në 20 persona.
“Mbrëmë, 15 deri në 20 persona kanë rrahur dy të rinj shqiptarë. Ky akt, si çdo tjetër është i papranueshëm dhe organet tona janë të angazhuara që sulmuesit të sillen sa më parë para drejtësisë.” – shkroi ai.
Ndërsa Sveçla shkroi edhe për qytetarin serb që u arrestua sot në Mitrovicën e Veriut, e që dyshohet për sulm ndaj KFOR-it.
“Në anën tjetër, Policia e Kosovës sot ka arrestuar Nenad Orlovic, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, i cili dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në ditën e 29 majit në Zveçan ku mbeten të plagosur shumë ushtarë. Pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar. Secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë.” – shkroi tutje ai.