Sveçla i kthen përgjigje ambasadorit amerikan: E ka dhënë një opinion, ne bëjmë vlerësimet e duhura - NACIONALE

Sveçla i kthen përgjigje ambasadorit amerikan: E ka dhënë një opinion, ne bëjmë vlerësimet e duhura

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili shprehu shqetësimin se kushtet nuk janë të duhura për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Në një prononcim para mediave, të shpërndarë nga medium lokal Mitropol, Sveçla është pyetur edhe për deklaratën e ambasadorit amerikan.

Ministri i Qeverisë Kurti deklaroi se ai ka dhënë një opinion, por institucionet bëjnë vlerësimet e duhura.

“Shumë mirë, ai e ka dhënë një opinion, ne e vlerësojmë, janë institucionet përkatëse që bëjnë vlerësimet e duhura…Ju kisha lut me e lënë me kaq, ka me pas konferencë shtypi shumë shpejt”, ka thënë ai.

Pas tensioneve të brendshme në veri të vendit, më konkretisht afër zyrave të KQZ-së atje, reagoi edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Ai dënoi dhunën e shkaktuar gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës, ku u dëgjuan shumë shpërthime pas përpjekjeve të autoriteteve kosovare për të organizuar procesin zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme të 18 dhjetorit.

“Dhuna dhe intimidimi, përfshirë përdorimin e pajisjeve shpërthyese, dhe rrezikimin e jetëve nuk është asnjëherë metodë e duhur e protestës,”- u shpreh ai.

Hovenier më tej ka thënë se ShBA-të janë të shqetësuara se kushtet “nuk janë të duhurat që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë."

Lajme të ngjashme