Sunak: Lufta do të përfundojë në tavolinën e bisedimeve, duhet ta vëmë Ukrainën në vendin më të mirë
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka thënë se lufta në Ukrainë do të përfundojë në tavolinën e bisedimeve, përderisa u zotua se do ta përkrahë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të jetë “në vendin më të mirë për t’i mbajtur ato bisedime”.
Edhe pse kryeministri britanik la të kuptohej se dëshiron të thotë që tani nuk është koha për bisedimet e paqes, ai përsëri premtoi se do t’i ofrojë përkrahje shtesë Ukrainës për t’u siguruar që ky shtet të ketë epërsi në fushën e betejës, raporton gazeta “The Guardian”.
Ai i bëri këto komente gjatë udhëtimit me tren për në samitin e parë Britani – Francë në pesë vitet e fundit. Ky qëndrim përbën dallim të konsiderueshëm me mendimin e ish-kryeministrit Boris Johnson, i cili i ka bërë presion Sunak-ut që Mbretëria e Bashkuar t’i dhurojë aeroplanë e tanke Ukrainës “për ta kryer punën”.
Duke folur në trenin për në Paris disa orë para takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministri britanik tha: “Ne jemi duke ofruar trajnim për t’i përdorur ato aftësi. E tëra është duke u zhvilluar, si dhe thjesht ofrimi i ndihmës për ta mbrojtur veten e tyre kundër sulmeve me të cilat po ballafaqohen, sidomos ndaj infrastrukturës së tyre kritike kombëtare. Tani, kjo duhet të jetë fokusi i të gjithëve.”
“Natyrisht, kjo do të përfundojë siç përfundojnë të gjitha konfliktet, në tavolinën e bisedimeve, por ky është një vendim që merret nga Ukraina dhe ajo që ne duhet ta bëjmë, është që ta vendosim atë (Ukrainën) në vendin më të mirë të mundshëm që t’i ketë ato bisedime në një moment të duhur që ka logjikë për të”- shtoi Sunak-u.
Ai tha se shpreson që Britania të fillojë një kapitull të ri të marrëdhënieve me Francën dhe beson se pikëpamja e përbashkët e të dyja vendeve për kthimin e paqes në Ukrainë do ta thellojë dhe do ta fuqizojë marrëdhënien mes tyre.

