CNN: Rusia ka kapur armë perëndimore në Ukrainë dhe i ka dërguar në Iran - NACIONALE

CNN: Rusia ka kapur armë perëndimore në Ukrainë dhe i ka dërguar në Iran

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia ka kapur disa prej armëve të dhuruara nga ShBA-ja e NATO-ja për Ukrainën, të cilat kishin mbetur në fushën e betejës në Ukrainë, dhe i ka dërguar ato në Iran, ku ShBA-ja beson se Teherani do të mundohet që t’i analizojë ato sisteme, i thanë televizionit CNN katër burime të afërta me këtë çështje.

Gjatë vitit të kaluar, zyrtarë të ShBA-së, NATO-s dhe të vendeve të tjera perëndimore kanë parë disa raste të marrjes së armëve të vogla nga forcat ruse, përfshirë sistemin kundërtank, “Javelin”, dhe sistemin kundërajror, “Stinger”, të cilat forcat ukrainase nganjëherë janë detyruar që t’i lënë në fushën e betejës, i thanë disa burime televizionit amerikan.

Në shumë prej atyre rasteve, Rusia më pas i ka dërguar këto pajisje me aeroplanë në Iran për çmontimin dhe analizimin e tyre në mënyrë që ushtria iraniane të mund t’i prodhojë versionet e veta të armëve, thanë burimet. Rusia beson se furnizimi i Iranit me armë të kapura perëndimore do ta nxitë Teheranin për ta vazhduar përkrahjen për Rusinë në luftën e Ukrainës, shtuan burimet.

Zyrtarët amerikanë nuk besojnë që kjo çështje është shumë e përhapur ose e vazhdueshme dhe se ushtria ukrainase e ka bërë shprehi që nga fillimi i luftës që të raportojë në Pentagon për çfarëdo humbjeje të pajisjeve amerikane, të cilat mund të merren nga forcat ruse, thanë zyrtarët. Prapëseprapë zyrtarët pranojnë se çështja është e vështirë për t’u përjellë.

Nuk është e qartë nëse Irani i ka çmontuar dhe zbuluar me sukses ndërtimin e armëve amerikane të marra nga Ukraina, por Teherani është treguar goxha i aftë për zhvillimin e sistemeve të armëve duke u mbështetur në pajisjet e konfiskuara amerikane në të kaluarën.

Një armë kyçe në inventarin e Iranit, raketa kundërtanke “Toophan” ishte prodhuar duke u mbështetur në raketën amerikane BGM-71 TOW para rreth pesë dekadave. Iranianët kishin penguar një dron të prodhimit amerikan të tipit “Lockheed Martin RQ-170” më 2011 dhe kishin arritur që të prodhonin një dron të ri që ishte futur në hapësirën ajrore të Izraelit më 2018 para se të rrëzohej.

Lajme të ngjashme