Milley thotë se asnjëra palë në luftë nuk pritet t’i arrijë qëllimet: Lufta mbaron me bisedime
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, Gjeneral Mark Milley, ka thënë se as Rusia, as Ukraina nuk pritet që t’i arrijnë qëllimet e tyre ushtarake dhe beson se lufta do të përfundojë në tavolinën e bisedimeve.
Pentagoni është duke i riekzaminuar rezervat e veta të armëve dhe mund të ketë nevojë që t’i shtojë shpenzimet ushtarake, pasi ka parë se sa shpejt është përdorur municioni gjatë luftës në Ukrainë, tha zyrtari më i lartë ushtarak i Shteteve të Bashkuara në një intervistë për gazetën “Financial Times”.
Përderisa ai nuk e lidhi shterimin e rezervave me përkrahjen e tij për bisedimet e paqes, Milley tha se ai ende beson që lufta do të përfundojë në tavolinën e bisedimeve.
“Do të jetë pothuajse e pamundur për rusët që t’i arrijnë objektivat e tyre politike përmes mjeteve ushtarake. Ka pak gjasa që Rusia të mbizotërojë në Ukrainë. Thjesht nuk do të ndodhë”- tha ai.
Do të ishte “shumë, shumë vështirë për Ukrainën këtë vit që t’i dëbonte rusët nga secili centimetër i Ukrainës së pushtuar nga rusët”- tha më tej komandanti amerikan, duke shtuar: “Nuk është për t’u thënë që nuk mund të ndodhë... por është jashtëzakonisht vështirë dhe do ta kërkonte në thelb rënien e ushtrisë ruse.”
Kur u pyet nga gazeta, nëse ka kaluar momenti për diplomaci mes Rusisë dhe Ukrainës, Milley tha se të dyja palët “kanë gërmuar goxha fort në objektivat e tyre” dhe nuk kanë vullnet për të biseduar.
“Jemi disa javë larg fillimit të pranverës, por është një dritare rrotulluese. Ka mundësi në çfarëdo momenti të kohës”- shtoi ai.
Komentet e tij në këtë intervistë janë paksa të çuditshme, nëse krahasohen me një deklaratë që ai e bëri para dy ditëve, kur tingëlloi më optimist për Ukrainën si dhe vlerësoi se Rusia ka humbur.
Të martën, në një konferencë të përbashkët për gazetarë me sekretarin e Mbrojtjes të ShBA-së, Lloyd Austin, Milley tha se Rusia ka humbur “në mënyrë strategjike, operacionale dhe taktike”.

