Sulmi terrorist në veri, shoqata Atlantiku kërkon krijimin e një fronti të përbashkët politik kombëtar
Shoqata "Atlantiku" ka reaguar për sulmin terroristë ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Kjo shoqatë që vepron në Amerikë, ka kërkuar nga faktori politik që të ketë një unifikim të qëndrimeve dhe veprimeve kundrejt politikës agresive të Serbisë.
Tutje, ata kanë kërkurar krijimin e një fronti të përbashkët politik kombëtar.
“Ftojmë faktorin politik shqiptar në Ballkan dhe sidomos në Kosovë për një unfikim të qëndrimeve dhe veprimeve politike kundrejt politikës agresive të Serbisë dhe për krijimin e një fronti të përbashkët politik kombëtar.” – thuhet në njoftimin e tyre.
“Në emër të ish-ushtarëve dhe anëtarësisë shprehim gatishmërinë dhe mbështetjen tonë në çdo rast për sovranitetin, institucionet, lidershipin demokratik dhe forcimin e shtetit të Kosovës.” – thuhet tutje.
Komunikata e plotë:
KOMUNIKATË PËR MEDIA E SHOQATËS "ATLANTIKU"
Shoqata "Atlantiku" po përcjell me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës, ku në mbrojtje të lirisë, integritetit territorial, rendit kushtetues dhe sigurisë ra polici Afrim Bunjaku e u plagosën dy kolegë të tij. Në emër të krejt anëtarësisë i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Bunjaku, ndërsa policëve të plagosur ju urojmë shërim dhe rikthim të shpejtë në detyrë.
Shprehim mirënjohjen për organet e rendit të Republikës së Kosovës, të cilat me profesionalizmin e tyre parandaluan sot skenarin serb për të shkaktuar një gjakderdhje të re të përmasave të mëdha, që do të çonte në një luftë të re shqiptaro-serbe.
Vlerësojmë Ambasadorin Hovenier për mbështetjen e tij dhënë rendit kushtetues dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës, dëshmi kjo e miqësisë së palëkundur e të qëndrueshme afatgjate në mes të ShBA-së dhe popullit të Kosovës.
Ftojmë faktorin politik shqiptar në Ballkan dhe sidomos në Kosovë për një unfikim të qëndrimeve dhe veprimeve politike kundrejt politikës agresive të Serbisë dhe për krijimin e një fronti të përbashkët politik kombëtar.
Në emër të ish-ushtarëve dhe anëtarësisë shprehim gatishmërinë dhe mbështetjen tonë në çdo rast për sovranitetin, institucionet, lidershipin demokratik dhe forcimin e shtetit të Kosovës.
Kryesia e Shoqatës "Atlantiku"
