Sulmi në Skënderaj: Çka dihet deri më tash për rrahjen e zv/ministrit Mehani nga Sami Lushtaku? - NACIONALE

Sulmi në Skënderaj: Çka dihet deri më tash për rrahjen e zv/ministrit Mehani nga Sami Lushtaku?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht kryetarin e degës së VV-së në këtë komunë, njëherësh zv/ministrin, Hysni Mehani.

Të dyja palët, kanë dhënë versione të ndryshme për ngjarjen.

Sami Lushtaku, kryetar i Skënderajt, tha se është tentuar të sulmohet.

“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si "Sami Serbia" qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, ka shkruar Lushtaku.

Në anën tjetër, Mehani nëpërmjet një postimi të një afërmi, ka kërkuar nga familja e tij të përmbahet.

“Te dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbroj familjen time dhe ftoj familjrët për përmbajtje”, ka shkruar ai.

Më pas reagoi Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka thënë se Mehani u sulmua kur po pinte kafe me ish-deputeten e Arjeta Fejza dhe aktivistë të partisë në një kafene të Skenderajt nga Lushtaku dhe truprojat e tij.

Ata kanë publikuar edhe foton se si duket Mehani, i cili shihet i gjakosur në fytyrë. Mehani së fundmi u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Financave.

“Sot, në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së”, thuhet në reagim.

Ish-deputeti i VV-së, Enver Dugolli, e ka vizituar në spital Hysni Mehanin.

Aty, Mehani shihet me fashë në kokë.

“Sami Lushtaku, ta kesh të qartë: me sulme fizike, presione dhe metoda banditeske nuk do ta ndalni kurrë Hysniun dhe as Lëvizjën Vetëvendosje. Dhuna është arma e atyre që nuk kanë argumente politike dhe që përpiqen të mbjellin frikë te qytetarët dhe aktivistët politik përmes sulmeve fizike, kërcënimeve dhe presionit. E dënojmë fuqishëm dhunën, kërcënimet dhe sulmet fizike si instrument të frikësimit politik. Askush nuk mund ta ndalë vullnetin qytetar për ndryshim me dhunë, presion apo banda politike”, shkruante Dugolli.

Rastin e dënoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Gjuha e urrejtjes prodhon tension, cenon sigurinë publike dhe krijon ambient ku dhuna rrezikon të shihet si mjet i pranueshëm i përballjes politike. Kjo është e papranueshme për një republikë demokratike”, thuhet në reagim.

LDK-ja ka theksuar se mospajtimet politike duhet të mbesin brenda normave demokratike, institucionale dhe qytetare, duke shtuar se Kosova ka nevojë për debat politik dhe garë idesh, e jo për linçim, frikësim apo sulme ndaj kundërshtarëve politikë.

Lajme të ngjashme