Sulmi ndaj ekipit të Nacionales në Prizren - këto janë ngjarjet tjera të javës
Sulmi ndaj gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi ishte ndër të tjera ngjarja kryesore e javës që po e lëmë pas. Përveç këtij rasti të tmerrshmë, gjithashtu në Kosovë ndodhën edhe disa ngjarje të tjera të cilat mund t’i lexoni në tekstin tutje.
Gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi bashkë me kameramanin, Arbër Latifi janë sulmuar nga disa persona të premten në Prizren.
Gjatë një proteste që po mbahej në këtë qytet kundër Dokufest, Krasniqi dhe Latifi janë sulmuar nga disa protestues të cilëve iu pengonte puna e ekipit të Nacionales.
Për këtë rast, policia ka arrestuar personin që ka sulmuar ekipin e Nacionale.
Gjithashtu, më e rëndë se sulmi ishte edhe mosreagimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët ishin prezent në momentin e sulmit ndaj ekipit të Nacionales.
Ata nuk reaguan fare teksa për këtë gjë një rreshter i PK-së është suspenduar nga detyra për 72 orë.
“Rreshteri ishte zyrtari i parë që gazetari i është drejtuar dhe gjatë këtij kontakti dyshohet se nuk ka pas një reagim dhe sjellje profesionale nga ai.” – thuhet në njoftim.
Ky sulm ka nxitur reagime të jashtëzakonshme.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar fuqishëm sulmin.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK, është i tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren... Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e AGK-së.
Përveç AGK-së edhe gazetarë e opinionistë e politikanë të ndryshëm kanë dënuar sulmin ndaj ekipit të Nacionales.
Ndër disa reagimet, ishte edhe reagimi i kryetari të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili dënoi ashpër sulmin.
Vrasjet në Kosovë
Ndërkohë javëve të fundi Kosova u trondit edhe nga disa raste të vrasjeve.
Një vrasje në Klinë dhe një në Skenderaj ndodhën gjatë javës që po e lëmë pas.
Të enjten në një lokal të natës në fshatin Runik të Skënderajt, dy persona të maskuar hynë e qëlluan me armë.
Si pasojë, një 39-vjeçar u vra kurse tre të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas informacioneve të deritashme personi i vrarë ka qenë djali i pronarit të lokalit, dhe arsyet që çuan deri te kjo ngjarje tragjike ende nuk dihen.
Ndërkohë edhe qyteti i Klinës u trondit nga një vrasje.
I dyshuari Tush Frrokun ditën e hënë, hyri në një kafene dhe e goditi me disa plumba tashmë të ndjerin Anton Prelën.
I dyshuari dhe viktima kanë pasur lidhje familjare. Të dy kanë qenë duke jetuar jashtë Kosovës. I dyshuari Frroku është ende në arrati.
Kujtojmë se për shtatë muaj të vitit 2023 në Kosovë, janë raportuar plotë 15 vrasje.
Më tej, gjatë po kësaj jave, në Kosovë pati edhe shumë reagime për vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoninë Veriore.
Kurti nga Tetova ka kërkuar nga BE-ja që të hiqen masat ndëshkuese që ishin vendosur për shkak të situatës në veri të vendit.
...Ne dy herë nga 25 për qind e kemi zvogëluar praninë e policisë sonë në ndërtesat në tri komunat veri dhe kemi shprehur gatishmëri që të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Prandaj unë besoj që nuk është e logjikshme, as racionale të insistohet kundër Kosovës me masa nga më të ndryshmet, prej atyre financiare deri tek vizitat e nivelit më të lartë…” – deklaroi Kurti për "Tv Koha".
Mbetet të shihet se kur do të largohen masat ndëshkuese.


