Sulmi ndaj ekipit të Nacionales në Gjakovë: Roja i Spitalit kërkon falje dhe pranon fajësinë para gjykatës
Këtë të hënë është mbajtur seanca gjyqësore kundër të pandehurit Ilir Jahkurti i cili e sulmoi gazetaren e Nacionales Gentiana Hasani e kameramanin Arbër Latifi, derisa po raportonin nga Spitali i Gjakovës.
Jahkurtit i vihen në barrë tri vepra “Kanosje”, “Lendim i lehtë trupor” dhe “Marrja e pasurisë së palujtshme’”. I pandehuri, e pranoi në tërësi fajsinë për të gjitha akuzat që i vihen në barrë. Si dhe kërkoi falje.
“Me pranimin e fajësisë në çdo fazë të procedurës jam penduar për veprat e kryera. Kërkoj falje para gjykatës, nga të dëmtuarit për veprimet e mia. Premtoj se një veprim i tillë nuk do të përseritet më në të ardhmen. Nuk është në natyren time. Gjithcka ka ndodhur në gjendje emocionale dhe nuk ka qenë diçka e planifikuar. Ishte diçka e rastit ka ndodhur rastesisht. “- ka thënë ai.
Avokati i tij, Ali Uka, ka kërkuar që t’i ndërpritet paraburgimi të pandehurit, meqenëse e ka pranuar fajsinë.
“Pas konsultimeve me të mbrohturin tim i njejti pranoi fajësinë për veprat. I njejti i ka kuptuar pasojat dhe benifitet që rrjedhin nga pranimi i fajësisë. Andaj i propozon gjykatës që këtë pranim të fajësisë nga ana e të mbrojturit tim ta pranojë. Meqenëse i mbrojturi im pranoj fajësinë për veprat penale nga aktakuza i propozoj Gjykateë që ndaj të njejtit të nderpritet parburigimi. Meqenëse i njejti ka pranuar fajësinë”.
Ndërsa Prokurori Qazim Xharra deklaroi se nuk e kundërshton pranimin e fajita. “Duke pas parasysh se i akuzuari e pranoi fajesinë për të gjitha pikat e aktakuzes dhe se i njejti ka kuptuar netyrën, pasojat dhe favoret e pranimit te fajit. Andaj prokuroria e shtetit nuk e kundershton pranimin e fajit nga këtu i akuzuari. Sa i perket masës se paraburgimit ia le gjykatës të vendos”.
Edhe e dëmtuara Gentiana Hasani deklaroi se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga i akuzuari. Sa i përket ndjekjes penale e lë nën vlerlsimin e gjykatës. Ndërsa sa i përket kompensimit të dëmit deklarojmë se nuk kërkojmë kompensim dëmi.
Vendimi në këtë rast pritet të merret me 16 gusht.
Pse dhe si u sulmua ekipi i Nacionales?
Ekip i gazetës Nacionale kishin shkuar në Spitalin e Gjakovës për të raportuar rreth ndërprerjes së të gjitha operacioneve. Kjo kishte ndodhur me arsyetimin e temperaturave të larta.
Megjithatë, përderisa ishin në afërsi të spitalit, sigurimi i spitalit e ka sulmuar fizikisht kameramanin e Nacionales gjatë kryerjes së detyrës së tij.
Kameramani i Nacionales ka marrë ndihmë mjekësore dhe gjithashtu ka dhënë deklaratën e tij në Policinë e Kosovës.
Sigurimi u pati ndaluar për 48 orë.
Rasti është kualifikuar si “Sulm” dhe “Lëndim trupor”.
Lajmin e ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 12 e 30 në Spitalin Rajonal është raportuar se një gazetare dhe një kameraman ishin sulmuar fizikisht nga një punëtor i sigurimit. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar një të dyshuar (mashkull i moshës madhore). Lidhur me rastin është kontaktuar prokurorit i shtetit, me vendimin e të cilit i dyshuari ishte dërguar në mbajtje si dhe rasti fillimisht ishte inicuar rast "Lëndim i lehtë trupor" dhe "Sulm".
Nacionale kërkoi nga të gjitha institucionet reagim të duhur dhe dënim meritor për sigurimin që ka sulmuar ekipin e gazetës gjatë kryerjes së detyrave të tyre, për ta informuar publikun.
Spitali i Gjakovës pati bërë të ditur se ka marrë vendim për ndërprerjen e operacioneve.
“Të ndërpritet puna në sallat operative, për programin e ftohtë (të planifikuar) duke filluar prej datës 07.07.2023. Ky vendim është marrë për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve optimale në punë. Prej datës 07.07.2023 në sallat operative pranohen vetëm rastet urgjente, deri në një vendim tjetër”, thuhet në vendimin e spitalit “Isa Grezda”.
Ky vendim kishte nxitur shumë reagime. Kishte shkruar për këtë temë edhe gazetari Bujar Vitija.
“Temperatura ne sallat e operacionit ne klinikat dhe spitalet e SHSKUK-se keto dite shkojne deri ne 30 grade. Klimat dhe sistemi i ajrosjes nuk funksionojne dhe kjo perdoret si arsyetim me nderpre programin e operacioneve te planifikuara (rasti SP Gjakove). Shtoja ketu edhe mungesen e anesteziologeve per shkak te pushimeve vjetore”, thuhet në reagimin e tij.