Sulmet e Haki Abazit ndaj Kurtit për Nagip Krasniqin i nxorën 'piskamën' edhe Salih Zybës - NACIONALE

Sulmet e Haki Abazit ndaj Kurtit për Nagip Krasniqin i nxorën 'piskamën' edhe Salih Zybës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka goditur ashpër partinë së cilës i takon dhe Qeverinë Kurti edhe në lidhje me rastin e Nagip Krasniqit. Çka tha Abazi?

Si zakonisht, ai përmendi sërish emrin e Dejona Mihalit që thuhet të ketë pushtet të madh brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai akuzoi edhe shefen e këtij grupi, znj. Mimoza Kusari, që po bënte rrena për emra specifikë dhe sidomos me ata me të cilët “pinte kafe” e “rrinte” ai.

Ai pati një përplasje verbale edhe me deputetin tjetër të Vetëvendosjes, z. Salih Zyba të cilit i tha edhe “mbylle gojën” derisa i ndërhynte në fjalë.

“Ne kena mujtë me i nda rrugët por rrugën s’mujna me ia ndalë njëri-tjetrit... Mos ke provu me e provu picën e PDK-së?” – tha Zyba, zakonisht fjalëpak si deputet në Kuvend. Megjithatë, ai u shpreh se Abazi mund të kishte të drejtë për disa çështje.

“Kur të vjen puna me hangër pica të PDK-së, besoj që shihemi tjetërkund.” – ia ktheu Abazi.

Shefi i KEK-ut në paraburgim

“Me Mimoza Kusarin e Armend Mujën nuk mbrohet Nagip Krasniqit...” – argumentoi z. Abazi në fjalën e tij.

Megjithatë, sipas Abazit Nagip Krasniqi ishte thjesht një viktimë e formës se si po qeverisej Kosova.

“Ai e bart koston që nuk ka fuqi të mbrojtjes në mënyrë institucionale... Debati sot zhvillohet mes atyre që janë të implikuar me ata që ishin të implikuar dikur...” – vazhdoi fjalën e tij ai.

Abazi fjalën e tij e vazhdoi duke goditur edhe më shumë në standardet qeverisëse të Qeverisë Kurti II:

“Opozita e ka keq, e kaluara e opozitës është çfare është, problemi është që ne a po vendosim standarde të reja? Në këtë moment? Meqë nuk e kemi bërë prerjen, meqë nuk e kemi identifiku korrupsionin, sot vazhdojmë me u marrë me format se çka është e drejtë dhe çka nuk është e drejtë atje...”

Ai vërejti sidomos edhe thelbin e apologjisë së deputetëve të VV-së për Nagip Krasniqin.

“Brenda përkufizimit thuhet: pse nuk i ndjekët ata, por po na ndjekni neve? Po supozoni se ma së pari duhet me i ndjekë ata e më pas neve. Kjo nuk është drejtë. Ky është problem shumë i madh. Jashtëzakonisht i madh.” – vazhdoi tutje Abazi.

Deputeti përmendi edhe emrin e zv. ministres së larguar para 26 ditësh, Linda Çavdarbashas duke lënë të nënkuptohej se dinte më shumë.

“Absolutisht (kjo) nuk është forma. Sepse kështu bien viktimë emrat e përveçëm. Tani z. Zyba, që duket se jeni i emëruar si emisar për të bërë zhurmë, unë kisha dashtë me të dëgju për çfarë është largu znj. Çavdarbasha, që u largua pa asnjë fjalë...” – tha tutje Abazi.

Çavdarbasha ishte liruar nga detyra me anë të një vendimi të marrë më 31 mars nga ana e kryeministrit Albin Kurti, por pa dhënë arsyet prapa vendimit.

E lartpërmendura kishte thënë që kishte ofruar dorëheqje më datën 30 mars, me arsyen se “është bërë për arsye të vazhdimit të karrierës sime profesionale.”

Deputeti tutje akuzoi Qeverinë e Kosovës se nuk kishte vizion, ndërkohë që i sulmoi edhe për Strategjinë për Energjinë.

Lajme të ngjashme