Sulm, inskenim, konflikt: Çka paralajmëruan Kurti, Osmani e Konjufca se po synon Serbia në Kosovë? - NACIONALE

Sulm, inskenim, konflikt: Çka paralajmëruan Kurti, Osmani e Konjufca se po synon Serbia në Kosovë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Situata e sigurisë në veri të Kosovës është e vështirë. Në fakt, tre liderët e Kosovës kanë paralajmëruar, në një formë apo tjetër, mundësinë e përsëritjes së sulmeve nga ana e strukturave kriminale të Serbisë, siç ngjau më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca, që nga 24 shtatori, kanë tentuar të tregojnë se çka, sipas tyre, kërkon Serbia në Kosovë. Çka paralajmëruan Kurti, Osmani e Konjufca?

Sipas tri kokave të mëdha të Kosovës, Serbia po synon përsëritjen e sulmit, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e përshkallëzimit në një konflikt në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë konteskt, më i drejtpërdrejti ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili foli për informacionet e institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës për mundësinë e inskenimit të sulmeve të dhunshme në Kosova nga ana e Serbisë.

“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata.” – deklaroi Kurti sot gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Për mundësinë e problemeve të sigurisë, sot ka folur edhe Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës. Në një intervistë për Deutsche Welle-n, Konjufca vlerësoi se situata në veri është alarmante, ndërsa shtoi se ekziston rreziku për përshkallëzim të konfliktit në rajon.

“Natyrisht që jemi të alarmuar, sepse u sulmuam më 24 shtator: Ishte një sulm terrorist dhe akt agresioni i shtetit të Serbisë mbi Republikën e Kosovës. Sepse një grup i madh i armatosur hyri nga shteti i Serbisë brenda territorit tonë, e vrau policin Afrim Bunjaku, dhe plagosi të tjerë, me qëllimin e qartë që të aneksojë një pjesë të Kosovës… Rreziku është gjithmonë aty, por duhet ta kuptoni pse. Nuk është për shkak që ne po mbrohemi, por për shkak që Serbia po sulmon.” – deklaroi Konjufca për DW.

Prandaj, Konjufca kërkoi “protektorat ndërkombëtar për Serbinë”, duke treguar se Kosova po mendon “që ta shumëfishojë forcimin e policisë dhe të institucioneve të sigurisë në atë pjesë të Kosovës që ne ta evitojmë një sulm të ardhshëm që vjen nga Serbia.”

“Duhet të sanksionohet Serbia, kjo duhet të ndodhë patjetër. Në kuptimin e sigurisë Serbia duhet të vendoset në karantinë, pa e vendosur Serbinë në karantinë në kuptim ndërkombëtar, gjithmonë prej aty do të burojnë forca destabilzuese drejt Kosovës, drejt Bosnjës, edhe drejt Malit të Zi, bile. Këto tri shtete janë në shënjestër të Serbisë. Serbia ka nevojë për një protektorat ndërkombëtar.” – theksoi Konjufca.

Në një linjë të ngjashme alarmimi është edhe vet presidentja kosovare, Vjosa Osmani. Ditë më parë, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, Osmani deklaroi se Serbia po përgatitet të kryejë një akt tjetër.

“Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më 24 dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke forcuar forcat e armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë.” - deklaroi presidentja Osmani për La Repubblica.

Lajme të ngjashme