Suedia në NATO: Kurti lyp trupa, Presidentja dolli me ambasadorin, Blinken me fjali të urtë popullore jokosovare
Presidentja Vjosa Osmani ngriti dolli me ambasadorin suedez në Kosovë, teksa Suedia u bë zyrtarisht anëtare e NATO-së dje. Kryeministri Albin Kurti, në urimin e tij ‘i kërkoi trupa për ruajtjen e kufirit me Serbinë, shtetit suedez’ ndërkaq interesant ishte edhe urimi i Sekretarit Amerikan të shtetit, Antony Blinken, me një fjali të urtë popullore (jo veç kosovare) globale: ‘Gjërat e mira u ndodhin atyre që kanë durim’.
Suedia është bërë zyrtarisht anëtarja e 32-të e NATO-së.
Lajmi është mirëpritur nga e gjithë bota demokratike-perëndimore, me urata dhe mirëpritje të aktit.
Institucionet e Kosovës, uruan Suedinë në forma të ndryshme: Presidentja e Kosovës, znj.Vjosa Osmani, ka ngritur një dolli me ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Ëesterlund.
“Së bashku me ambasadorin e Suedisë në Kosovë Jonas Ëesterlund dhe miq dhe aleatë të tjerë, ne po festojmë këtë ditë historike pasi Suedia i bashkohet NATO-s zyrtarisht. Ky hap i rëndësishëm përpara forcon jo vetëm sigurinë e Suedisë, por edhe strukturën e paqes dhe sigurisë evropiane”, shkroi Osmani në X, përcjell Nacionale.
E veçanta e urimit të kryeministrit Albin Kurti, ishte së në uratën e postuar në X, i kërkoi ‘trupa për ruajtjen e kufirit me Serbinë’ shtetit suedez.
“Mezi presim të mirëpresim ushtarët e parë Suedisë në kuadër të KFOR-it në Republikën e Kosovës për të ndihmuar në mbrojtjen e kufirit tonë kundër agresionit të Serbisë”, ka shkruar veç tjerash Kurti në platformën X.
Suedia u anëtarësua zyrtarisht në NATO, me një akt ku dorëzoi dokumentet në Uashington.
Para dy vitesh, me fillimin e agresionit rus në Ukrainë, Suedia aplikoi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake.
Me rastin e pranimit në NATO, Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se “uniteti dhe solidariteti” do të jenë “frymëzuesit” e Suedisë.
Për sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, pranimi i Suedisë tregon se ‘gjërat e mira vijnë dalëngadalë’.
“Gjërat e mira u ndodhin atyre që kanë durim”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Blinken tha se “çdo gjë ndryshoi” pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, duke i cituar sondazhet të cilat kanë treguar se populli suedez e ndryshoi bujshëm mendimin rreth anëtarësimit në NATO.
Anëtarësimi i Finlandës vitin e kaluar dhe tani i Suedisë, e cila nuk ka qenë në luftë prej vitit 1814, përbën zgjerimin më të rëndësishëm të NATO-s prej se ajo pranoi anëtarë të rinj nga Evropa Lindore pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991.
Suedia dhe fqinji i saj Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1.300 kilometrash me Rusinë, të dyja bënë oferta që t'i bashkohen bllokut pasi Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë kundër Ukrainës.
Finlanda u bashkua zyrtarisht në prill 2023, duke dyfishuar më shumë kufirin e NATO-s me Rusinë në një goditje ndaj presidentit Vladimir Putin, i cili ka kërkuar të parandalojë çdo rritje të Aleancës.