Strategjia si kundër UÇK-së: Rusia fillon me akuza për trafikim organesh nga Ukraina
Shërbimet e ndryshme, përfaqësitë diplomatike e agjendat e Moskës zyrtare, kanë nisur të orientohen drejt akuzave të ndryshme karshi Ukrainës.
Duke dështuar ta fitojnë luftën deri më tash, Rusia e drejtuar nga Vladimir Putini nëpërmjet përfaqësive të ndryshme diplomatike, ka nisur ta akuzojë Ukrainën se po kryen trafikim të organeve.
Kështu thuhet në një postim të bërë nga Ambasada e Rusisë në Afrikën e Jugut.
“Hetuesit rusë gjetën forma të ndryshme të deklaratve të pëlqimit për heqjen e organeve të kryera në emër të ushtarëve të Ukrainës me të njëjtin shkrim dore. Sipas mediave, mjekët ishin më aktiv gjatë luftës në Severodonetks dhe Rubezhnoye. Punëtorët e morgjeve gjetën trupa të militantëve ukrainas me shenja anatomizimi dhe heqje të organeve”, thuhet në postim.
“Mëlçitë e veshkat u morën në operacione të lëvizshme, më pas u vendosën në kontejnerë dhe u nxorën jashtë vendit për transplantim të mëtjeshëm në Perëndim”, thuhet më tutje.
Në fakt, kjo duket vetëm një nisje e një agjende e propagande nga regjimi i Putinit, duke përdorur metoda të njëjta sikur kundër Kosovës.
Kishte qenë pikërisht një senator rus, Konstantin Kosachev, i cili kishte iniciuar nisjen e një hetimi për kryerjen e trafikimit të organeve në Shtëpinë e Verdhë.
Kjo bëri që më pas të krijohet edhe Gjykata Speciale me seli në Hagë, por e cila nuk përmban as edhe një element të akuzave për trafikim të organeve.
Kjo propagandë ruse nuk ka lënë pa u vërejtur edhe në Kosovë, ku kanë nisur reagime të shumta. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka shkruar se metoda të njëjta janë përdorur edhe kundër UÇK-së.
“Rusia ka filluar që në mënyrë agresive ta shtyej trillimin se Ukraina po bënë trafikim të organeve në zonat e luftës. Ambasadat e Rusisë nëpër botë po shpërndajnë “informata” të tilla nëpër platformat e tyre zyrtare në rrjete sociale. Skenari i njejtë si me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ajo.
“Institucionet tona, Presidentja, Kryeministri, Ministrja e Punëve të Jashtme duhet të këndellen urgjentisht. Mosdurimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nuk duhet tua mundë dashurinë për Kosovën. Në Hagë sot, historia dhe lufta jonë për liri janë braktisur nga shteti”, thuhet në postimin e Çitakut.
Në rrjetin social X ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi. Edhe ai i ka kërkuar Ukrainës të mbajë një sy karshi këtyre akuzave, pasi të njëjtat janë bërë kundër Kosovës.
“Ukraina duhet të shikojë. Këto akuza identike të pabaza e të çuditshme u bënë nga Serbia kundër çlirimtarëve të Kosovës. Serbia e Rusia gjetën një politikan mik zviceran për t’i vendosur këto në një raport. Në fund Kosova duhej të krijonte Gjykatën Speciale, një monstruozitet ligjor, pa mbikëqyrje”, thuhet në postim.
Task-Forca hetimore e krijuar, kishte vërtetuar se në s’ka asnjë provë për trafikim organesh nga Kosova dhe UÇK-ja.