Stoltenbergu: Aleatët do të gjejnë shpejt zgjidhje për t’i dhënë tanke Ukrainës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje aleatëve të martën që ta përshpejtojnë dërgimin e armëve të rënda dhe më të avancuara në Ukrainë për t’i zmbrapsur forcat ruse dhe e shprehu besimin se një vendim për dërgimin e tankeve në Kiev do të merret së shpejti.
Stoltenbergu foli në Berlin, në një konferencë të përbashkët për gazetarë me ministrin e ri të Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius, i cili tha se qeveria e tij do të veprojë shpejt për tanket, nëse arrihet një konsensus, raporton agjencia “Reuters”.
Presioni ndaj qeverisë së kancelarit gjerman, Olaf Scholz, për dërgimin e tankeve “Leopard” në Ukrainë ose për t’i lejuar shtetet e tjera që ta bëjnë këtë, është rritur ditëve të fundit. Sipas rregullave për blerje ushtarake, Gjermania duhet të japë leje për secili rieksportim të prodhimeve të saj.
Megjithatë, Partia Social-Demokrate e Scholz-it ka qenë e matur, duke pasur frikë se lëvizjet e reja mund të shkaktojnë eskalim të mëtejmë të situatës nga Moska.
Polonia, e cila e ka akuzuar Gjermaninë për zvarritje sa i përket dhurimit të tankeve, tha të martën se ka kërkuar zyrtarisht leje nga Berlini për t’i dërguar tanket e veta në Ukrainë.
“Në këtë moment shumë të rëndësishëm në luftë, ne duhet t’i ofrojmë Ukrainës sisteme më të rënda e më të avancuara dhe duhet ta bëjmë këtë më shpejt. Prandaj e mirëpres diskutimin tonë sot. Ne e diskutuam çështjen e tankeve të betejave. Konsultimet në mesin e aleatëve do të vazhdojnë dhe unë kam besim që do të kemi një marrëveshje së shpejti”- tha Stoltenbergu.
Ndërkohë ministri Pistorius tha se Gjermania nuk është duke qëndruar në rrugën e shteteve të tjera që po trajnojnë ushtarë ukrainas për t’i përdorur tanket “Leopard” përderisa bisedimet vazhdojnë.
Sipas ministrit gjerman, kancelari Scholz është duke bërë përpjekje që të arrijë një konsensus për çështjen e tankeve, duke shtuar se NATO-ja nuk duhet të bëhet palë në luftën e Ukrainës.
Të dielën, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, dha një shenjë se marrëveshja mund të bëhet së shpejti, kur tha se qeveria e saj nuk do të bëhet pengesë në rrugë, nëse Polonia dëshiron që të dërgojë tanke “Leopard 2” në Ukrainë.
Megjithatë, të martën, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë u duk sikur e uli optimizmin, duke thënë se për dërgimin e tankeve, vendimin do ta marrë kancelari Scholz.

