Gjiganti gjerman i armëve: Mund t’ia dërgojmë 139 tanke “Leopard” Ukrainës
Prodhuesi gjerman i armëve, “Rheinmetall”, mund t’ia dërgojë Ukrainës 139 tanke të tipit “Leopard”, nëse një gjë e tillë i kërkohet, tha zëdhënësi i kësaj kompanie për RND-në.
Gjermania është nën presion të madh nga Ukraina dhe nga disa vende të NATO-s, si Polonia, për ta lejuar furnizimin e Kievit me tanke të prodhimit gjerman, “Leopard 2”, për t’u mbrojtur nga pushtimi rus.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deri më tani i ka rezistuar kërkesës që vendi i tij t’i dhurojë tanke Ukrainës ose të paktën t’i lejojë shtetet e tjera, të cilat kanë tanke të këtij lloji, që t’ia japin ato Kievit.
Zëdhënësi i kompanisë “Rheinmetall” citohet të ketë thënë se ky prodhues do të mund të dhuronte 29 tanke “Leopard 2A4” deri në prill ose maj dhe 22 të tjera të të njëjtit model në fund të këtij viti ose në fillimin e vitit 2024.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se Gjermania nuk do të "qëndronte në rrugë" që Polonia të dërgojë tanke “Leopard” në Ukrainë.
Kjo deklaratë duket si sinjali më i qartë i dhënë deri më tani nga Berlini për aleatët evropianë që të mund t’i dorëzojnë tanket e prodhimit gjerman në Ukrainë.
E pyetur në një intervistë me televizionin francez, LCI, se çfarë do të ndodhte, nëse Polonia do të dërgonte tanket e saj Leopard 2 pa miratimin gjerman, Baerbock u përgjigj përmes një përkthyesi duke thënë se: “Për momentin pyetja nuk është bërë, por nëse do të na bënin ne nuk do të qëndronim në rrugë."