“Statuse, grafite e protestë”: Qysh po e kundërshton opozita marrëveshjen e Ohrit mes Kurtit e Vuçiqit?
Që nga 18 marsi, kur u mbajt takimi i Ohrit, pas të cilit u publikua aneksi për të cilin u dakorduan Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, reagimet nuk kanë të ndalur. Përveç ndërkombëtarëve, analistëve vendorë e të huaj, edhe opozita kosovare është shprehur hapur në lidhje me marrëveshjen e cila ende nuk është nënshkruar. Qysh reagoi opozita karshi marrëveshjes Kurti-Vuçiq?
Statuse, grafite, deklarata e paralajmërime për protestë janë disa prej formave që opozita ka zgjedhur të kundërshtojë marrëveshjen për të cilën Kurti e Vuçiq u dakorduan në prani të lehtësuesve të BE-së e përfaqësuesit amerikan, Gabriel Escobar. Në fakt, rruga kryesore e zgjedhur për kundërshtim nga ana e opozitës janë statuse e deklaratat.
I pari që reagoi, thuajse menjëherë pas lajmit për dakordim mes Kurtit dhe Vuçiqit, ishte Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në një status në profilin e tij në Facebook të publikuar në orën 00:24, Abidxhiku shkroi se marrëveshja e Kurtit me Vuçiqin parasheh Asociacion plus.
“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike - ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë - që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë - përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë. Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më.” – shkroi Abdixhiku.
Pak më i vonshëm ishte Krasniqi, i cili të dielen, pra 10 orë pas dakordimit, shkroi se Kurti ka pranuar gjithçka që kishte premtuar se nuk do ta pranonte, duke shtuar se marrëveshja parasheh autonomi për serbët.
“Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë.” – vlerësoi z. Krasniqi.
Pak më i ashpër ishte Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së, që është parti joparlamentare. Gjatë kohës sa Kurti po negocionte me Vuçiqin, Molliqaj u paraqit në debate të shumta politike, analiza e të cilit u karakterizua me një gjuhë më të ashpër opozitare. Madje, ai ka bërë disa postime në lidhje me marrëveshjen evropiane.
“Sot u tradhtua Kosova. Një njeri i ngjitur n’pushtet nga rezistenca më e fuqishme e pas luftës n’vend, sot e dorëzoi Kosovën. Një parti që u ngrit nga mijëra protesta kundër Asociacionit, sot e solli atë.” – shkroi në statusin e parë z. Molliqaj.
E një ditë pas, Molliqaj mbajti konferencë për media, duke treguar se do të organizojë një protest të shtunën në ora 14:00, duke përmendur edhe nevojën për dorëheqje të Kurtit.
“Marrëveshja e mbrëmshme është e dëmshme për Kosovën. Kurti nuk ka mandat për këtë marrëveshje. Mashtrimi është i madh dhe i rrezikshëm për demokracinë dhe qytetarinë. Prandaj të gjithë që jeni kundër marrëveshjes dhe kundër mashtrimit ju ftojmë në protestë, të shtunën në ora 14:00 në sheshin "Zahir Pajaziti"!” – shkroi Molliqaj.
E sot, partia e Molliqajt, pra PSD-ja, bëri edhe një aksion simbolik kundër marrëveshjes së Ohrit, duke vendosur grafite në Prishtinë, në të cilat Kurti cilësohej si “Albin Zajednica”.
“Asociacionin "Zajednicë" e ka emëruar Kurti. Në rrugë për t'ja ndryshuar emrin në vetëmenaxhim, "Zajednica" po bëhet mbiemri i vetë Albinit.” – shkroi Molliqaj.
Kujtojmë që AAK-ja e Ramush Haradinajt, ish-kryeministër i Kosovës, përkundër që është parti opozitare, i ka dhënë “dritën e gjelbër” marrëveshjes së Ohrit. Në një intervistë për Nacionalen, Haradianj deklaroi se do ta nënshkruante edhe vetë marrëvshjen evropiane, e cila dikur njihej si plani franko-gjerman.
Ndryshe, në një sondazh të gazetës Nacionale me lexuesit e saj në Viber, 73 për qind e respodentëve deklaruan se janë të gatshëm të protestojnë kundër marrëveshjes së Ohrit.