Standardet e dyfishta të Qeverisë: Ministri mbrohet, sekretari pezullohet për aktakuzë, i dyshuari për korrupsion emërohet drejtor
Mbledhja e sotme e Qeverisë në detyrë është përcjell me disa vendime kontradiktore. Në mbledhjen e 265-të, Qeveria Kurti ka përdorur standarde të dyfishta për çështje gati të njëjta.
Derisa një zyrtar i lartë pezullohet nga puna për shkak të problemeve me ligjin, brenda të njëjtës mbledhje mbroheshin dhe avancoheshin zyrtarët e tjerët, të cilët po ashtu dyshoheshin për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në këtë mënyrë, me propozim të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kabineti qeveritar e ka pezulluar nga puna Sekretarin e Përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj.
Arsyetimin për shkarkimin e Kamberajt ka qenë ngritja e aktakuzës për korrupsion ndaj tij nga Prokuroria Speciale. Në anën tjetër, Kurti nuk ka ndërmarr asnjë masë ndaj ministri në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, i cili akuzohet bashkë me Besim Kamberajn për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Madje, ministri Damka ka votuar pro pezullimit nga puna të sekretarit Kamberaj.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tregoi pse po pezullohet nga puna zyrtari në fjalë, por nuk tha asnjë fjalë për ministrin e tij, i cili është pjesë e së njëjtës aktakuzë.
“Kjo është masë e nevojshme për të garantuar integritetin institucional, duke pasur parasysh që ndaj nëpunësit të administratës publike është ngritur aktakuzë për procedurë penale për kryerjen e veprës penale gjatë ushtrimit të funskioneve të tij”, ka thënë Kurti.
Në muajin korrik, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit aktual të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe sekretarit të këtij dikasteri, Besim Kamberaj.
Sipas aktakuzës, të dytë akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Përdorimi i standardit të dyfishtë nuk ndalet këtu.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka emëruar drejtor të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Hysen Muzliukaj, aktivistin e njohur të VV-së, i cili ka probleme me ligjin.
Muzliukaj, i cili në shtator të vitit 2022 ishte emëruar këshilltar ministrit për Bujqësi, Faton Pecit, ishte arrestuar në vitin 2023.
Ai ishte arrestuar për shkak të dyshimeve për korrupsion në mandatin e dytë të Agim Bahtirit si kryetar i Mitrovicës, ku e kishte ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi.
Ai ishte arrestuar bashkë me Faruk Mujkën, drejtorin ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, i cili dyshohej për korrupsion derisa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.
Pas arrestimit, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e kishte shkarkuar Muzliukajn nga posti i këshilltarit.