Sovraniteti në letër: Serbëve në veri u faturohet rryma, por paguajnë pak – Elektroseveri s’i shkyç nga rrjeti
Ishte bërë bujë e madhe nisja e faturimit të energjisë elektrike në veri të Kosovës. Elektroseveri ishte licencuar nga Kosova si autoriteti për të shpërndarë faturat e rrymës në veri. Ndonëse një gjë e tillë, pra faturimi, është duke u bërë, inkasimi i borxhit, pra pagesa, është në një përqindje të vogël.
Se pagesa e rrymës është në një përqindje të vogël e ka pranuar edhe vetë Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE). Në një intervistë për Ekonomia Online, Petrit Pepaj, ka treguar edhe shifrat, duke e pranuar se inkasimi i borxhit për energjinë elektrike të faturuar çalon.
“Elektroseveri siç e dini është i licencuar nga Zyra Rregullatorit për Energji, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Si rrjedhojë e këtij licencimit Elektroseveri e ka për obligim të raportoj çdo muaj. Në bazë të raporteve të shtatë mujorit të këtij viti janë 113 mijë kilovatë në orë të energjisë elektrike të faturuara, të përkthyera në pare janë diku rreth 8 milionë euro, ndërsa inkasimi ka filluar, pak çalon në aspektin e klasimit diku janë 631 mijë të inkasuar prej asaj energjie e cila është e faturuar” – ka thënë Pepaj.
Në këtë intervistë, Pepaj ka treguar se “aktualisht përqindja” e atyre që paguajnë energjinë “nuk është përqindja e madhe”.
“Aktualisht përqindja është e vogël nuk është përqindje e madhe, për shkak se në atë pjesë pothuajse një kohë të gjatë nuk është bërë pagesa e energjisë elektrike dhe njerëzit nuk paguajnë hezitojnë të fillojnë me pagesa. Mirëpo siç shihet tani ka filluar një trend që pagesa e energjisë elektrike të fillojë të bëhet edhe në atë pjesë. Në të kaluarën deri në vitin 2017 energjia e asaj pjese është faturuar në faktuarat e energjisë elektrike të pjesëve të qytetarëve të tjerë të Republikës së Kosovës me vendimin e Gjykatës ajo pjesë është ndaluar, dhe nga viti 2017 ajo energji nuk është e paguar”, ka treguar Pepaj.
Ndonëse e thekson se ekziston mundësia për të shkyçur, Pepaj e pranon se në bazë të raporteve zyrtare, Elektoseveri ende nuk ka filluar me shkyçjen.
“Deri tash Elektroserveri në bazë të raportit që ka dërguar ende nuk ka filluar me shkyçje e konsumatorëve për mos pagesë të energjisë elektrike, për arsye sepse është faza e implementimit vendosjes së njehsorë disa konsumatorë nuk ka njehsor disa të tjerë ka pasur njehsor jo të përshtatshëm për matje. Do të thotë është procesi i vendosjes së njehsorëve, regjistrimi i tyre, krijimi i data bazës dhe lëshimin e faktuarve për pagesë të energjisë elektrike...Në bazë të shënimeve që i kemi marrë së fundmi nga Elektroseveri, llogariten që janë rreth 23 mijë konsumatorë në Veri. Mbi bazën mbi ligjin për gjuhën, gjuha serbe dhe alfabeti i saj në gjuhën zyrtare të Republikës së Kosovës, konsumatorët duhet të dërgohet faktuar në gjuhën në të cilën e kupton. Në atë pjesë faktuara duhet të mbajë elemente edhe të gjuhën shqipe dhe atë serbe. Faturimi i energjisë ka filluar në atë pjesë por a shkon faktuara tek të gjithë konsumatorët, këta nuk mund të them me saktësi. Në bazë të informatave që kemi faktuarat ku nuk ka matje, ose nëse njësori nuk i përmbush kushtet për matje, faturohet paushallë, ndërsa tek pjesa ku konsumi i energjisë elektrike bëhet me matje është një skemë tarifore në të cilën Elektroseverin e përdor, që është e njëjtë me strukturën tarifore që e paguajnë qytetarët e pjesës tjetër të Republikës së Kosovë” – ka sqaruar Pepaj.