Dita e fundit që diaspora të regjistrohet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, për zgjedhjet e 9 shkurtit kishte më shumë aplikime
Sot është afati i fundit për regjistrimin e diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme. Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se ka mbetur vetëm edhe 1 ditë për votuesit nga jashtë që të regjistrohen për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në njoftimin e KQZ-së bëhet e ditur se deri më tani kanë aplikuar për regjistrim 63 mijë e 997 nga diaspora.
Adresa për aplikim online është https://diaspora.kqz-ks.org/sq..., ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.
Për detaje rreth regjistrimit, mërgata mund të njoftohet përmes postës: https://kqz-ks.org/regjistrimi...
Nga hapja e këtij procesi, liderët e partive politike dhe zyrtarët e shumtë partiak e kanë ftuar diasporës që të regjistrohet dhe të bëhet pjesë e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit.
Pavarësisht thirrjeve të institucioneve dhe politikanëve të të gjitha partive, diaspora nuk ka treguar interesim aq të madh për të aplikuar për regjistrim.
Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar këtë fenomen.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në bazë të këtij procesi do të ketë më pak vota të diasporës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Edhe një ditë ka mbetur për regjistrimi e deri tani i kemi 63,997 të regjistruar nga diaspora. Sa mundet me shku numri edhe nesër? Dyshoj që shkon 100k. Pra kemi me pas ME PAK vota nga diaspora me 28 dhjetor. Zgjedhjet e 9 shkurtit kemi pasur të aprovuara 104,942 persona/regjitrimi. E gjithashtu janë refuzuar 6,872 nderësa janë anuluar 3,412. Në total 115,226”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka treguar disa arsye që kanë ndikuar në këtë numër.
“Me gjasë do të kemi më pak të interesuar nga diaspora për me votu sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ky është indikatori i parë serioz që mundemi me pas më pak pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit sesa 9 shkurti. Kjo është e arsyeshme, për shkak se gjithë këto bllokada e kriza e plus i kemi nxjerë njerëzit 3 herë brenda vitit me votu. Nëse kemi përshembull 800k vota kësaj radhe, më së shumti përfiton AAK se ulet pragu. E ndoshta në këtë rast (skenari 800k pjesëmarrje) që më së shumti humbë partia ma e madhe dhe ajo që ka qenë në pushtet se votuesi po tregon shenja abstenimi”, ka shkruar Muharremi.