Sorensen për takimin Bislimi – Petkoviq: Një hap drejt sqarimit të fatit të të zhdukurve - NACIONALE

Sorensen për takimin Bislimi – Petkoviq: Një hap drejt sqarimit të fatit të të zhdukurve

3 javë më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesi i veçantë i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, thotë se dje është mbajtur takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

“Objektivi i Komisionit të Përbashkët është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila synon të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përfshirë personat e zhdukur me forcë, të sigurojë mbyllje për familjet e tyre dhe të nxisë pajtimin dhe paqen e qëndrueshme”, ka tha Sorensen në një komunikatë për media.

Komisioni i Përbashkët, sipas tij, do të mbështesë përpjekjet e Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, të kryesuar nga Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, duke lehtësuar aktivitetet zbatuese të palëve, zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe duke shqyrtuar progresin.

Takimi i 22 janarit në nivel kryenegociatorësh ishte vazhdimësi e ujdisë së arritur në dhjetor të vitit 2024 për Termat e Referencës të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë kryesues të këtyre komisioneve dhe përfaqësojnë shtetet e tyre. Në takimet e radhës të Komisionit, ata do të përfaqësohen nga zëvendësit. Kosovën në këto takime sipas disa paralajmërimeve do duhej ta përfaqësojë Andin Hoti.

Lajme të ngjashme